Mesazhet që u dha nxënësve të tij, për tyrben dhe zakonet e rajonit të Hasit, janë bërë shkas që arsimtari Triumf Dula, të shkarkohet nga puna.
Por Dula është shkarkuar vetëm nga puna si arsimtar në shkollën e Mesme të Ulët “Mit’hat Frashëri” në Krajkë të Hasit e jo edhe nga puna si arsimtar me gjysmë norme në shkollen fillore në Romajë të Hasit.
Sipas raportimit të Kohavisionit që citojnë drejtorin e Drejtorisë për Arsim në Komunën e Prizrenit, Zahadin Shemsedini, mësuesi Dula është shkarkuar nga shkolla në fshatin Krajkë, por televizioni lokal i Prizrenit “Besa” citon të njëjtin drejtor teksa thotë se Dula pas referencave shumë pozitive nga drejtori i shkollës në Romajë, do të vazhdojë punën.
E mësuesi Dula kishte dhënë mesazhe goxha të frikshme për fëmijët. Madje kishte ushtruar edhe dhunë.
“Shqiptari don dajak, Allahu Ekber, Mos besoni në tyrbe, tyrbet ju kanë tranu. Të gjitha këto fjalë ka kërkuar nga nxënësit që ti shënojnë në fletore dhe kur të shkojnë në shtëpi t’i tregojnë prindërve të tyre”, ka thënë drejtori i shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajkë të Hasit, Hemë Çoçaj.
Nxënësi që ishte viktimë e dhunës së ushtruar nga arsimtari, ka treguar për KTV-në se si ka ardhur deri te rrahja.
“Ma ngjiti në gjyks edhe tentoi të më hidhte nga dritarja”, rrëfen nxënësi nga shkolla në Krajkë.
Ndërkaq, arsimtari tashmë i shkarkuar Triumf Dula, ka kërkuar falje për atë çfarë ka ndodhur, raporton Koha.net
Duke mos dashur të prononcohet para kamerës, ai ka thënë se është penduar për fjalët dhe fyerjet që ua ka bërë nxënësve dhe banorëve të këtij fshati./Insajderi.com