Mësimdhënësja nga Peja Gjylfidane Morina është arrestuar ditë më parë nën dyshimet për veprën penale të mashtrimit.
E dyshuara ka mashtruar dhjetëra persona, në lidhje me dokumentet për aplikim për subvencionin për bujqësi. Ajo ka pasur mbi 300 mijë euro qarkullim në xhirollogarinë e saj bankare.
Gazeta Insajderi merr vesh se Morina kishte qenë e dënuar tri herë për mashtrim.
Në këto tri hera për veprën e njëjtë penale ajo ishte dënuar me kusht dhe me gjobë.
“E pandehura ka qenë e dënuar 3 herë me Aktgjykim të formës së prerë dhe atë : sipas Aktgjykimit të formës së prerë nën Pnr.25/2009 të datës 16.03.2019 të GJTH-Pejë është shpall Fajtore dhe dënuar me dënim me kusht për vepër penale të – Mashtrimit nga neni 261 të KPK-së, po ashtu me Aktgjykim të plotfuqishëm të GJTH- Gjakovë nën Pnr.287/2016 me datë 19.02.2019 për të njëjtën vepër është shpall fajtorë dhe dënuar me dënim me gjobë dhe me kusht nga neni 335 i KPK-së, sikurse me Aktgjykim të formës së prerë nën Pnr.249/2017 të datës 17.10.2019 është shpall fajtorë dhe dënuar me dënim me gjobë për vepër penale – Mashtrimi nga neni 335 të KPK-së”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.
Morina gjatë periudhës kohore 2022/2024 ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju premtuar sera të xhamit në formë të subvencionit, por që palët paraprakisht janë obliguar të paguajnë nga 300 deri 400 euro, me qëllim të sigurimit të transportit dhe montimit të tyre.
Përkundër që viktimat e kuptuan se projekti nuk po realizohej, Morina nuk pranoi asnjëherë t’ua kthente paratë.
Të gjitha këto ajo i kishte kryer në emër të OJQ’së “Ne jemi pjesë e botës” me seli kryesore në Fushë Kosovë, teksa është paraqitur si menaxhere. / Insajderi.org