Mësuesja e patrembur që mëson fëmijët e izoluar për shkak të gjakmarrjes – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mësuesja e patrembur që mëson fëmijët e izoluar për shkak të gjakmarrjes

    Insajderi
    19 October 2016 - 20:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Agjencia ndërkombëtare e lajmeve AP ka publikuar të mërkurën një artikull kushtuar një mësuese nga Shkodra, e cila ndihmon fëmijët e izoluar për shkak të gjakmarrjes.

    Liljana Luani, mësuese 56 vjeçare nga qyteti verior i Shkodrës, shfrytëzon kohën e saj të lirë për të udhëtuar në fshatra të largët në Shqipëri, ku jetojnë fëmijë që kanë mbetur peng i një tradite të vjetër të gjakmarrjes.

    Gjakmarrja është një traditë e vjetër që buron nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku përshkruhet në detaje një formë primitive e vetë-qeverisjes. Një cikël vrasjesh që mund të zgjasë disa gjenerata mund të fillojë nga një vrasje ose një kontest pronësor.

    Kur mësuesja viziton një fshat, qentë që bëjnë roje e njohin atë ndërsa njerëzit që jetojnë aty thuajse nuk reagojnë fare kur ajo hapë dyert e metalit dhe futet në shtëpi.

    Megjithatë, një ndjenjë rreziku është e përhershme.

    “Jam e vetëdijshme se puna ime është si të ecësh në një fushë të minuar.  Nëse gaboj, familja ime mund të paguaj për këtë”, thotë ajo gjatë një vizite tek një shtëpi ku jeton një djalosh që është fshehur për t’u mbrojtur nga hakmarrësit.

    Ajo i jep atij një mësim më matematikë, gramatikë dhe për Odisenë.

    Zakonisht, vetëm burrat janë cak i gjakmarrjes.  Gjakmarrja vazhdon të jetë prezente sidomos në zona të largëta kur zbatimi i ligjit vazhdon të jetë i dobët.  Viktimat zakonisht ndiqen me vite të tëra, derisa binë në prita të organizuara, apo vriten në rrugë.

    Raportohet se dhjetëra vrasje ndodhin për çdo vit si pasojë e gjakmarrjes.

    Gratë janë të përjashtuara nga gjakmarrja, gjë që i lejon mësueses që të udhëtojë pa qenë cak apo pa u përcjellë.  Por, ka pasur raste pas rënies së komunizmit kur rregullat tradicionale janë thyer dhe janë përfshirë edhe gratë dhe të miturit.

    Liljana thotë se ende ndiqet nga kujtimi i një adoleshenti që dëshironte të shkonte në shkollë dhe ishte vrarë në një pritë. Për këtë arsye, ajo nuk jep shumë detaje për studentët që viziton nga frika që ata mund të identifikohen.

    AP po ashtu ka biseduar me disa njerëz që janë cak për t’u vrarë për gjakmarrje, që po ashtu insistuan të mbesin anonim nga frika se mund të gjenden e të vriten.

    Në një ditë të zakonshme, Liljana kryen punën e saj, përgatit ushqim në shtëpi për familjen e saj dhe pastaj niset për “bjeshkët e Nemuna”.

    Vlerësohet se disa mijëra njerëz, përfshirë fëmijë, jetojnë të izoluar për shkak të gjakmarrjes.

    “Këta fëmijë të mbyllur nuk rriten në mënyrë normale sikur fëmijët e tjerë,” thotë ajo.  “Atyre u mungon gjithçka.  Iu mungon liria.  Ata rriten me frikën se do të vriten ose fokusohen se si të vrasin.  Imagjinojeni një jetë të tillë.”

    Në njërën nga vizitat e saj, ajo shkon në një shtëpi ku jeton një grua 40 vjeçare me tre djemtë e saj, të moshës nga 14 deri 19.  Ata kanë një oborr të vogël kur kultivojnë perime, mbajnë pula dhe një lopë.

    Fqinjët dhe të afërmit ndihmojnë këtë familje, ndërsa Liljana ka bindur kompaninë e enerjisë elektrike t’iu ofrojë energji me një çmim më të lirë.

    Bashkëshorti i gruas është në burg për vrasje ndërsa familja nuk është e mësuar me vizitorë.  Gruaja qan shpesh ndërsa dy djemtë me të moshuar u larguan nga dhoma.

    Liljana mëson djalin më të vogël të familjes, me shpresë që të ndihmojë atë të largohet nga cikli i dhunës.

    “Unë besoj që kur njerëzit janë të edukuar, ata zakonisht nuk bien pre e fenomenit të gjakmarrjes,” ka thënë ajo.

    Ajo thotë se tashmë po tenton që të bindë nënat që t’iu thonë djemve të tyre që të mos vazhdojnë hakmarrjet.

    “Njerëzit më lavdërojnë për këtë që po bëj, dhe më thonë se jam një heroinë.  Por unë nuk e dua këtë. Unë dua shumë më shumë të bëhet për këta njerëz,” thotë ajo.  “Derisa jam në gjendje të ecë e të flas, unë do të jem pranë studentëve dhe fëmijëve të mi.”/Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark