
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, ka thënë se kjo ditë duhet të shpërbëje si përkujtim i asaj se barazia gjinore mbetet sfidë e rëndësishme mbarë-botërore, përfshirë edhe Kosovën.
Meucci ka thënë se do të zotohet që synimi i OKB-së për barazi gjinore në të gjithë globin të jetësohet edhe në Kosovë.
“Jam i kënaqur që Kosova e ka miratuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve dhe politikave me qëllim të sigurimit të barazisë gjinore. Vitin e kaluar, autoritetet kosovare e kanë miratuar Ligjin e ri për Barazinë Gjinore. Ai e ka një qëllim ambicioz, që ta arrijë nivelin prej 50% të përfaqësimit të secilës gjini në institucionet publike, duke i përfshirë pozitat vendim-marrëse si dhe në sektorët të cilët tradicionalisht ka qenë të dominuar nga meshkujt”, thuhet në komunikatë.
Ai pohon se i bashkohet betejës së të gjitha grave në mbarë botën për të drejta të barabarta të gruas dhe për barazi gjinore.
“Unë vazhdoj të jem një përkrahës i fuqishëm i të gjitha femrave vendase dhe ndërkombëtare këtu në Kosovë në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një sistem efikas dhe të pavarur të drejtësisë duke ofruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë “, thuhet në komunikatë./Insajderi.com