Përdorues të irrituar të Windows 10-ës në Shtetet e Bashkuara dërguan Microsoft-in në gjykatë ditën e Marte me arsyetimin se kalimi në versionin më të fundit të sistemit operativ shkaktoi probleme të shumta për ta.
Ndryshe nga sa ishim mësuar më parë, Microsoft ofroi Windows 10-ën falas për përdoruesit e Windows 7-ës dhe 8.1 përgjatë vitit të parë të debutimit. Kjo ofertë e pazakontë u shoqërua me rritje të ndjeshme të reklamave brenda sistemit operativ.
Në ditët e para të ofertës, disa përdorues u ankuan se Windows 10-ta ishte instaluar automatikisht. Ndër to tre përdorues specifikë thonë se sistemit operativ u shkaktoi dëme. Stephanie Watson pretendon se Windows 10-ta është instaluar pa dijeninë e saj dhe ky proces shkatërroi disa të dhëna duke dëmtuar edhe sistemin të cilin teknikët nuk arritën ta riparonin duke e detyruar të blinte një tjetër.
Sipas padisë, “shumë” përdorues të tjerë janë ballafaquar me të njëjtin problem ku instalimi i Windows 10-ës u ka shkatërruar hardisqet e kompjuterave.
Një tjetër përdorues, Robert Saiger kishte vendosur të pranonte ofertën e Microsoft. Megjithatë pas instalimit ai vuri re mungesë të dhënash dhe mos funksionim të sistemit operativ.
Howard Goldberg vendosi ta pranonte ofertën e Microsoft pas gjashtë muajsh refuzim. Por shkarkimi dhe instalimi i sistemit operativ dështoi plot tre herë duke i shkaktuar humbje të dhënash, humbje të ardhurash dhe kosto të lartë riparimi.
Po çështje shkon përtej tre personave. Besohet se miliona përdorues janë prekur nga probleme të ngjashme. Sipas padisë Microsoft duhej të kishte paralajmëruar se ky proces mund të shoqërohej nga humbje të dhënash dhe se përdoruesit duhet të ruanin kopje rezervë të dhënash.
Ajo shkon më tej duke thënë se Microsoft kishte neglizhuar dhe se kompania nuk e kishte testuar mjaftueshëm e dizenjuar, formuluar dhe prodhuar siç duhet përditësimin. Nëse gjykata vendos në favor të paditësve, Microsoft duhet të paguajë 5 milion dollar dëme.