Microsoft të mërkurën mbajti ngjarjen e përvitshme ku prezantoi programin 3D për Windows 10, një kompjuter të ri Surface, që konkurron me iMac dhe një aksesor interesant për linjën Surface, të quajtur SurfaceDial.
Bëhet fjalë për një pajisje shtesë veç miushit dhe tastierës, një laps digjital që mundëson për përdoruesit që të manipulojnë imazhet në ekranin e kompjuterit, të ndryshojnë ngjyrat e ekranit, volumin, apo të shfletojnë një dokument shumëfaqësh, shkruan Tch.
Po t’u shtosh të gjitha këtyre risive edhe të famshmin Hololens, një pajisje që kushton plot 3 mijë dollarë, shto këtu edhe 300 të tjera për aksesorët e realitetit virtual (VR – virtual reality) me të cilat shoqërohet, së bashku me gjithë gamën e gjerë të shërbimeve të inteligjencës artificiale të kompanisë së Bill Gates, pa frikë mund të themi që Microsoft është sot kompania më inovative në fushën e teknologjisë.
Në këtë përfundim kanë arritur pjesa më e madhe e ekspertëve, që thonë se me prezantimin e risive në ngjarjen e së mërkurës së kaluar, Microsoft rrëzoi nga froni atë që njihej si “mbretëresha e inovacionit” – Apple, që për 2016 risinë më të madhe ka vetëm telefonin me kufje pa kabllo.