Microsoft thuhet se po kërkon nga të gjithë punonjësit me bazë në Kinë që të përdorin vetëm iPhone për punë, duke filluar nga shtatori.
Kështu shkruajnë mediat e huaja, duke cituar një memo të brendshme, se gjiganti i teknologjisë informoi qindra punonjës se së shpejti duhet të verifikojnë identitetin e tyre përmes menaxherit të fjalëkalimeve të Microsoft Authenticator dhe aplikacionit Identity Pass, i disponueshëm në pajisjet Apple.
Kompania ka kërkuar të rrisë sigurinë e saj të brendshme nën Iniciativën e saj globale Secure Future, të shpallur nëntorin e kaluar.
Microsoft thuhet se vendosi të bllokojë punonjësit nga përdorimi i pajisjeve Android për të hyrë në platformat e saj të korporatave, sepse shërbimet celulare të Google, përfshirë dyqanin e aplikacioneve Google Play, nuk janë të disponueshme në Kinë.
Kjo e lë App Store të Apple si vendin e vetëm për punonjësit e Microsoft në Kinë për të shkarkuar dhe përdorur aplikacionet Microsoft Authenticator dhe Identity Pass, thuhet në raport.
Por kompania nuk po i lë “të bllokuar” plotësisht fansat e Android.
Ajo tha se ata mund të vazhdojnë të përdorin pajisjet e tyre personale Android dhe se do t’u sigurojë atyre një iPhone 15 për punë, raportoi Bloomberg.
Përpjekjet e Microsoft për të forcuar praktikat e sigurisë pasojnë sulmet nga hakerat rusë dhe kinezë.