Migjen Basha me shumë mundësi do të mbetet pjesë e futbollit italian. Pasi aktivizimi 6 mujor te Como e cila ra nga Serie B, ka zgjuar interesin e klubeve të tjera të kësaj kategorie për të pasur shërbimet e mesfushorit.
Në skenë ka dalë Cremoneze e cila është duke u përpjekur të transferojë Bashën në ekip, raporton sajti ekspert i transferimeve ‘Gianlucadimarzio.com’. Cremoneze do të bëjë gara ne Serie B nga sezoni i ardhshëm.
Kartoni i 29vjeçarit zotërohet nga Lucerna e ekipi italian duhet të diskutojë me zviceranët për të përfunduar këtë transferim që do të shtonte listën e ekipeve italiane me të cilat është aktivizuar Basha.
Mesfushori nga Suhareka është pjesë e kombëtares shqiptare e cila do të luajë për herë të parë në një kampionat evropian këtë vit.
Ai është bërë pjesë e Shqipërisë në vitin 2013, kur kishte marrë ftesë për herë të parë nga trajneri italian Gianni De Biasi. /Insajderi.com