Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve e Lëvizjes Vetëvendosje i ka reaguar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili tha se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë do të ndëshkohet.
Haradinaj këtë e deklaroi të enjten pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se hapja e Urës së Ibrit mund të rrezikojë ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it, shkruan Insajderi.
Për këtë ka reaguar Mihali, e cila kishte përmendur një postim me gjuhë të ashpër të ish-kryeministrit Isa Mustafa, që u detyrua më pas ta fshinte. Në të, sipas Mihalit, kishte akuza për krime kundër popullatës civile për “Liqenin e Radoniqit”.
Më pas, ajo ka pyetur se “në cilin krah të urës” gjendet Haradinaj.
Postimi i plotë:
Sot Ramush Haradinaj paska shkruar një status në facebook si dikur në mbrëmjen e 17 tetorit 2015, Isa Mustafa.
Me liqenin e Radoniqit.
Atë botë kush e lexoi u skuq nga turpi. Statusi u fshi.
Çfarë pati ndodhur para 9 viteve?
Opozita e bashkuar nisi protestat kudo nëpër Kosovë kundër Zajednicës dhe Demarkacionit. Marrëveshje të nënshkruara nga Isa Mustafa, Kryeministër me 25 dhe 26 gusht 2015.
Haradinaj si një nga kryetarët e frontit opozitar ishte pozicionuar drejt e qartë kundër marrëveshjeve aq të dëmshme të Mustata-Thaçit me Serbinë e Malin e Zi.
Midis tyre ne kundërshtonin pa kompromis çkado që aludohej për Urën e Ibrit në ato marrëveshje, pra lëvizjen e kufirit administrativ, pra territorin e supozuar të Zajednicës.
Mbrëmjen e 16 tetorit 2015 në Interaktiv, Ramush Haradinaj, tha pak a shumë në mënyrë metaforike e plot të drejtë se nëse pushteti insiston të arrestojë deputetët që hodhën gaz, populli do ta arrestojë Isa Mustafën.
Ish Kryeministri Isa Mustafa, iu përgjigj në FB se Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën’ … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’.
Për ata që janë të rinj tash e nuk e dinë as 2015 e as 2000, ‘liqeni i Radoniqit” ishin akuzat e pabaza, absurde të Serbisë që u ishin mveshur atyre që luftuan, përfshirë Haradinajn, për vrasje të civilëve të hedhur në liqen.
Atëherë nuk pat kush që nuk u pozicionua me Haradinajn e kundër Mustafës. Së pari, së se i pari ishte pozicionuar për së mbari, bashkë me popull, e së dyti sepse Kryeministri i asaj kohe edhe ishte pozicionuar shtrembër edhe kishte shkruar diçka të tmerrshme për Kosovën, jo veç për UÇK, a komandantin e Dukagjinit.
Ku gjendet sot Haradinaj?
Nga cili krah i urës? /Insajderi.org/