Afër 4 mijë euro janë abuzuar nga pushtetarët në projektin e restaurimit dhe konservimit të shtëpive në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Auditorët kanë konkluduar se keqpërdorimi i këtyre mjeteve është bërë nga Agjencia shtetërore për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Drejtuesit e kësaj agjencie kanë angazhuar ekspertë të jashtëm pa përfillur procedurat e konkursit publik.
Këto veprime kanë ndodhur gjatë vitit 2015 dhe janë publikuar javën e kaluar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Madje, sipas auditorëve, drejtuesit e kësaj agjencie ishin paralajmëruar qysh para një viti që të mos e përsërisin të njëjtin veprim. Por, drejtuesit e kësaj agjencie e kishin shpërfillur këtë rekomandim.
Historia e angazhimit të ekspertëve pa konkurs, sipas auditorëve, ka nisur që në vitin 2014. Atëkohë, auditorët kishin hasur në një lëshim të kësaj agjencie. Kishin gjetur se më 2014 ishte angazhuar pa konkurs një ekspert i jashtëm që ishte paguar në shumë prej 150 eurosh.
Bazuar në raportin e auditorëve, eksperti i jashtëm ishte angazhuar për vlerësimin e ofertave të konkursit ndërkombëtar për hartimin e projektit të konservimit të shtëpive të rezistencës në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Përzgjedhja e këtij eksperti ishte bërë pa konkurs si dhe pagesa prej 150€ për tri ditë pune nuk kishte ndonjë dëshmi përkatëse”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2014.
Por, pritjet e auditorëve se këto veprime do të mënjanohen vitin e ardhshëm janë demantuar nga drejtuesit e kësaj agjencie shtetërore.
Kur, auditorët janë rikthyer për të audituar vitin 2015 kanë gjetur se i njëjti veprim është përsëritur. Madje, auditorët kanë gjetur se janë shpenzuar shumëfish më shumë në angazhimin e ekspertëve të jashtëm, pa konkurs.
Shuma totale e shpenzuar kap vlerën e afro 4 mijë eurove.
“Pa konkurs dhe pa garë janë angazhuar ekspert të jashtëm për përcjelljen e punëve të projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpive në kompleksin memorial “Adem Jashari” Prekaz,. Pagesat totale për këta ekspert ishte 3,918€”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Në raport, vlerësohet se kontraktimi i shërbimeve në mungesë të procedurave të kërkuara, mund të ndikojë që të angazhohen personat joadekuat si dhe e zvogëlon transparencën e proceseve brenda institucionit.
“Drejtori i AMKMK-së duhet të sigurojë që në rastet kur shfaqet nevoja për angazhim te bashkëpunëtorëve të jashtëm, angazhimi i tyre të bëhet përmes procedurave transparente për angazhimin siç parashihet me rregullat në fuçi”, theksohet në raportin e auditorëve. Kjo agjenci drejtohet nga Idriz Blakaj.
Po ashtu, auditorët kanë vërejtur edhe një shkelje të kësaj agjencie që ka ndodhur gjatë vitit 2015.
Kanë gjetur se shuma prej 129 mijë e 217 eurosh për mirëmbajtjen e kompleksit memorial është paguar nga buxheti për investime kapitale.
“Kontrata e mirëmbajtjes nuk nxjerr në pah elemente të shpenzimeve që do plotësojnë përkufizimin “kapitale” në veçanti pastrimi, krasitja, kositja e barit etj. Arsyeja për këtë gabim është se mjetet për ketë projekt janë keq buxhetuar që në fillim. Menaxhmenti pajtohet me të gjeturat tona. AMKMK nuk ka mundur ta korrigjojë këtë gabim. Kjo ka rezultuar me keq klasifikim në mes të investimeve kapitale dhe mallra&shërbimeve në Pasqyrat Vjetore Financiare”, theksohet në raportin e auditimit për AMKM-në.
Derisa për këtë shkelje menaxhmenti ka dhënë vlerësimin e tij, për angazhimin e ekspertëve pa konkurs nuk figuron përgjigja e tyre në raportin e auditimit për vitin 2015.