Me mijëra njerëz ishin mbledhur në Katedralen e Rouenit në Normandi, aty ku u zhvillua funerali i priftit francez, At Jacques Hamel, i vrarë në kishën e tij nga dy terroristë islamikë javën e kaluar.
Një ceremoni publike u udhëhoq nga arkipeshkvi i qytetit, ndërkohë që trupi i pajetë i At Hamelit do të prehet në banesën e fundit përmes një ceremonie private.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, si dhe klerikë të lartë të Kishës Katolike Romane ishin mes pjesëmarrësve në shërbesën mortore të priftit të ekzekutuar me prerje fyti, pasi dy terroristët kishin mësyrë kishën gjatë meshës së mëngjesit dhe kishin marrë edhe pengje.
Myslimanë dhe hebrenj morën pjesë gjithashtu në këtë ceremoni në shenjë solidariteti. Agresorët, Abdel Malik Petitjean dhe Adel Kermiche, të dy 19-vjeçarë, i kishin premtuar besnikëri të ashtuquajturit Shtet Islamik, përpara se të kryenin aktin makabër dhe më pas të qëlloheshin për vdekje nga policia pasi kishin marrë pengje në kishë.