Një aksion është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Pejë i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të Njësitit për Patentë Shoferë. Një nga personat e arrestuar për mashtrime me patentë-shoferë është edhe Ahmet Shala. Ai është i njohur si recidivist, më parë kishte aktakuzë për marrje të ryshfetit. Përveç kësaj ai njihet për shoqërinë me Adem Grabovcin.
Për aksionin detaje për Insajderin dha prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj, ajo shtoi se kanë arrestuar 6 persona, jo të gjithë janë zyrtarë. Njëri prej të arrestuarve tha se u lirua, ndërkohë 3 tjerë nuk ishin gjetur në shtëpi.
“Janë të arrestuar 6 persona, një është liru për shkak të gjendjes shëndetësore – tre persona nuk janë gjetur në shtëpi, janë nëpër pushime”, tha ajo për Insajderin.
Recidivist në ryshfet – Kush është Ahmet Shala?
Ahmet Shala, i arrestuar në aksionin e sotëm për mashtrime me patentë-shoferë, ka histori të njëjta para Gjykatës edhe më parë.
Ai ishte arrestuar para dhjetë viteve, nën dyshimin për dhënie pa kriter të patentë shoferëve.
Ahmet Shala në atë kohë mbante pozitën Drejtor i zyrës rajonale në Pejë.
Në vitin 2027 Gjykata Themelore në Pejë e kishte hudhur poshtë aktakuzën e ngritur ndaj Ahmet Shalës për veprën penale “marrja e ryshfetit”. Arsyeja e hudhjes së aktakuzës ishte se hetimet ishin kryer nga prokurori jokompetent i EULEX-it.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Ahmet Shala si koordinator në Qendrën për Patentë Shofer në Pejë dhe Mustafë Shala si ekzaminer në këtë qendër, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar dhe pranuar përfitim për vete duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, të njëjtit kishin pranuar shumën në vlerë prej 200 euro, për kalimi e një testimi.
Shoqëria me Adem Grabovcin
Ahmet Shala, ishte i njohur edhe për shoqërinë me ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovci.
Në profilin e tij në “Facebook”, atë kohe kishte postuar disa foto me Adem Grabovcin.
Në njërën prej fotove ai kishte shkruar “Me shefin kuptohet”. Edhe në disa foto të tjera me Grabovcin ai ka shkruar “me shefin”
Ndryshe, për aksionin është deklaruar edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke konfirmuar se janë arrestuar disa zyrtarë të njësisë për patentë shoferë, shkruan Insajderi.