×
  • Lajme
  • Lajme

    Miku i Adnan Rrustemit merr një pozitë të rëndësishme në KQZ, britanikët s’e kishin poentuar as për drejtor të Zyrës së partive

    Insajderi
    02 December 2024 - 12:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Miku i njërit prej deputetëve kryesor të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemit, Besnik Buzhala është caktuar U. D i Drejtorit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Kjo është pozita kryesore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas asaj të Drejtorit të Zyrës së Partive Politike. Të dyja këto tash do të drejtohen nga i njejti person.

    Mediumi online “Periskopi” raporton se Buzhala është emëruar me konsensus të anëtarëve të KQZ-së për shkak se kryeshefit të kaluar i kishte kaluar mandati dhe kjo pozitë nuk mund të mbetej e zbrazët për shkak të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

    Ky është vendimi i nënshkruar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    “Z. Besnik Buzhala (Drejtor i Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike), caktohet U. D Drejtori i Sekretariatit të KQZ, deri në përzgjedhjen e drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, por jo më gjatë se afati i përcaktuar me nenin 35 paragrafi 3 të Ligjit Nr. 08/L-197, për Zyrtarët Publik”, thuhet në vendimin e nënshkruar në 24.09.2024.

    Neni i cili përmendet në vendim thekson se, zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 6 muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për 6 muaj të tjerë.

    Sipas kësaj përllogaritje, Buzhala do të qëndrojë si U. D më së paku deri në fund të marsit të vitit 2025, pra deri në përfundimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

    Më 12.12.2022, Buzhala ishte emëruar Drejtor i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në vitin 2022, pas procesit të rekrutimit.

    Mediat kishin raportuar se kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi nuk kishte përfilluar rekomandimet e Ambasadës Britanike. Britanikët e kishin monitoruar procesin e intervistimit dhe sipas tyre asnjë kandidat nuk i kishte plotësuar kushtet për emërimin në këtë pozitë.

    Sipas britanikëve, asnjë kandidatë nuk ka arritur 70% ose më shumë të vlerësimit e që mund të konsiderohet se mund të emërohet (sipas poentimit të Partnerit Zbatues).

    “Kandidatët që kanë arritur 70% ose më shumë konsierohet që mund të emërohen”, thuhet në njoftimin e partnerit zbatues të angazhuar nga britanikët për mbikëqyrjen e këtij konkursi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark