
Milani është i gatshëm të përfshijë një futbollist në ofertë për transferimin e Granit Xhakës.
Kuqezinjtë po përgatiten të bëjnë një lëvizje konkrete për mesfushorin e Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, sipas raportimeve nga gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Sipas burimeve pranë klubit, takimet mes përfaqësuesve të Milanit dhe atyre të Leverkusenit janë planifikuar për javën e ardhshme, ku do të diskutohen hollësitë e mundshme të marrëveshjes.
Xhaka iu bashkua skuadrës gjermane në korrik të vitit 2023, pas një transferimi nga Arsenali për një shumë prej 15 milionë eurosh. Ai ka kontratë me kampionët e Bundesligës deri në qershor të vitit 2028.
Në sezonin që lamë pas, reprezentuesi i Zvicrës ka qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Xabi Alonso-s, duke zhvilluar 49 ndeshje, me 2 gola dhe 7 asistime.
Sipas “Calciomercato”, Milani është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë që në ofertën për Xhakën të përfshijë mbrojtësin Malick Thiaw, për të ulur koston e përgjithshme të transferimit.
Bayer Leverkusen, që ka treguar interes për Thiaw prej kohësh, mund të jetë e hapur për një shkëmbim të tillë, por ende nuk është e qartë nëse kjo do të pranohet dhe nëse do të ketë tarifë shtesë në marrëveshje.