Mbi dy miliardë euro, apo afërsisht sa buxheti i përgjithshëm i Kosovës, është shuma e mjeteve financiare e grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë në procesin e privatizimit dhe nga kursimet e kontribut paguesve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Por këto mjete mbahen të ngrira në institucionet financiare në Kosovë dhe në tregjet e ndryshme botërore.
Ekspertët për çështje ekonomike dhe financiare vazhdimisht kanë vlerësuar se duhet që të gjenden forma dhe mënyra që këto mjete të shfrytëzohen në Kosovë por me transparencë dhe siguri të plotë kthimi.
Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se investimi i këtyre mjeteve është i domosdoshëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Sipas tij, pjesa më e madhe e mjeteve të Fondit të Trustit dhe të Privatizimit ruhen në tregjet evropiane me zero për qind normë të interesit.
“Mendimi im është se këto mjete duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, të hapjes se vendeve të reja të punës”, ka thënë ai.
“Por me të vetmin kusht, që këto mjete të kenë siguri dhe garanci nga ana e Qeverisë së Kosovës sepse humbja e këtyre mjeteve do të godas drejtpërdrejtë kontribuuesit që paguajnë Trustin Pensional”, ka deklaruar Bektashi.
Vetëm nga Fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, deri në fund muajit janar të këtij viti, Agjencia e Privatizimit ka arritur që të grumbullojë rreth 750 milionë euro, të cilat janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës.
Kurse, deri në fund të vitit të kaluar, Fond i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka nën menaxhim mbi 1.4 miliard euro.
Eksperti për çështje ekonomike, Lekë Musa, konsideron se këto mjete duhet të qarkullojnë në tregun e Kosovës, konkretisht sipas tij, në institucionet financiare në vend.
Musa vlerëson se më këto mjete duhet të stimulohet sektori privat, pasi sipas tij, mënyra e kthimit është më e sigurt.
“Do të ishte mirë që të gjenden metoda për të stimuluar biznesin e vogël dhe të mesëm në forma të ndryshme ose duke ndikuar në uljen e normave të interesit, apo edhe duke u bërë pjesëmarrës në projekte të sektorit privat”, ka thënë Musa për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Mejdi Bektashi shprehet se investimi i këtyre mjeteve duhet të realizohet në sektorin privat, konkretisht në sektorin e prodhimit dhe bujqësisë.
“Sektori publik është shumë ‘riskant’. Është problem që këto mjete të kthehen për shkak të strukturës së sektorit publik. Sipas meje, më se miri do të ishte që këto mjete të investohen në sektorin privat dhe atë në disa veprimtari ku kthimi i mjeteve është shumë më i shpejtë dhe me norma më të larta të interesit”, shprehet Bektashi
Investimin e këtyre mjeteve në sektorin publik, nuk e preferon as Lekë Musa.
“Nuk jam përkrahës i investimeve në sektorin publik, sepse efikasiteti i tyre është mjaft i ulët dhe në këtë fazë ku ekonomia e Kosovës nuk është shumë e zhvilluar dhe vet investimet shumë herë nuk japin kthimin e nevojshëm, prandaj mendoj se strategjia më e mirë është që të bëhet në sektorin privat”, ka thënë Musa.
Ndryshe, kthimi apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve në Kosovë kërkon ndryshime në bazën ligjore./REL/