×
  • Lajme
  • Lajme

    Milionat e fituara nga Art Abazi i Alko Impex-SPAK zbarkon në KPP, sekuestron 20 dosje

    Insajderi
    04 January 2024 - 22:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Milionat e fituara nga Art Abazi i Alko Impex-SPAK zbarkon në KPP, sekuestron 20 dosje.

    Një hetim intensiv po kryhet aktualisht nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me institucionin më të rëndësishëm të menaxhimit të parave publike, si pjesë e vendimmarrjes për ankesat në tenderë dhe garat publike.

    Hetimet kanë përfshirë Komisionin e Prokurimit Publik institucionin nga ku shumica e punëve publike si Infrastrukturë, Energjitkë, Shërbime, Restaurime, Teknologji Informacioni apo Investime Publike pas prokurimeve dhe ankimeve, shqyrtimit të dokumenteve, nga KPP vendoset për të zgjedhur ofertën më të leverdishme ekonomike për paratë shtetërore, taksat tona.

    E pikërisht ky parim sqaruan burimet nga grupi hetimorë për WebLajm rezulton se sëpaku në mbi 20 praktika të tenderave me vlerë të lartë ekonomike nuk është respektuar dhe me mekanizmin e përjashtimit nga gara, ankimeve fiktive, dhe dakordësive mes operatorëve është kaluar në vlerat e larta.

    Skemë kjo e cila rezulton ti ketë shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, e për pasojë humbjen e ekzistencës të vetë Institucionit të krijuar me ligj.

    Pas marrjes së dokumentave dhe praktikave të tenderave nga zyrat e Komisionit të Prokuriemve Publike (KPP), SPAK pritet që ditët në vijim të marrë në pyetje drejtuesit e këtij institucioni ndërsa në hetim janë vendosur edhe disa kompani private pjesë e skemës.

    Komisioni i Prokurimit Publik drejtohet nga Jonaid Myzyri ndërsa pjesë e vendimmarrjes për çdo ankim janë edhe anëtarët si: Nënkryetar: Fiorent Zguro, Anëtar: Anila Malaj, Anëtar: Kreshnik Ternova.

    Të katër këta zyrtarë publik pritet të njihen me fletëthirrjen e SPAK dhe hetimin që po kryhet ndaj institucionit që ata janë pjesë dhe vendimmarrjes së tyre në ditët në vijim.

    “Boldnews.al” ka raportuar më herët se, gjatë periudhës 2022-2023, KPP ka dhënë 7 vendime ku ka qenë përfshirë “Alko Impekst General”, e menaxhuar nga Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi, dhe në çdo rast vendimmarrja ka qenë pro kompanisë së familjes Abazi.

    Dy kompani të menaxhuara nga Arbër Abazi, “Alko Impeks Construction” dhe “Alko Impeks General Construction”, kanë vendosur një lloj hegjemonie thelbësore në fitimin e tenderave për “Rindërtimin” dhe sidomos për pastrimin e qyteteve të ndryshme në Shqipëri.

    Të dhënat e portalit informativ “spending.data” dëshmojnë se kompanitë e menaxhuara nga Arbër Abazi, vetëm përgjatë periudhës 2019-2023, kanë fituar dhjetra tendera, nga të cilat deri tani janë paguar rreth 50 miliardë lekë të vjetra.

    Këto kontrata vijojnë dhe, natyrisht, edhe faturat e institucioneve publike në llogaritë e kompanive “Alko” do të vazhdojnë të shtohen.

    Ka nga ata që besojnë se kjo situata lidhet me një lloj “raporti të ngrohtë” mes kompanisë private dhe kreut të KPP-së, Jonaid Myzyri. Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik u zgjodh në këtë detyrë në korrik të vitit 2020, me votat e deputetëve të Partisë Socialiste të Edi Ramës.

    Sipas biografinë së tij profesionale, të dorëzuar gjatë periudhës së kandidimit, Myzyri deklaronte se kishte qenë shef i zyrës së prokurimeve në Ministrinë e Infrastrukturës, e më herët inspector në Komisionin e Prokurimeve Publike dhe lector në Universitetin Amerikan të Tiranës.

    Në CV-në e tij nuk shënohet asnjë lloj angazhimi në sektorin privat. Por, Partia Demokratike në opozitë, disa muaj pas emërimit të tij në krye të KPP-së, e akuzoi Myzyrin se po favorizonte shoqërinë ‘Alko Impeks General” të familjes së ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.

    Përfaqësues të opozitës deklaruan se ky favorizim vinte nga fakti që Joanid Myzyri kishte punuar më herët si jurist në këtë kompani private. Kjo e dhënë nuk gjendet në biografinë zyrtare të Myzyrit.

    Gjithashtu, ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik dhe as nuk i ka mohuar akuzat e opozitës, duke lënë të kuptohet se janë të vërteta të dhënat për raporte bashkëpunimi professional mes tij dhe “Alko Impeks General”.

    Vendimet pro Abazit

    – Në datë 3 gusht 2023, Komisioni i Prokurimit Publik, nën drejtimin e Jonaid Myzyri, ka marrë në shqyrtim kërkesën për shfuqizimin e vendimit për skualifikimin e ofertës së “Alko Impeks General Construction” nga procedura për “Rikonstruksionin e Spitalit Rajonal Dibër”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja, të zhvilluar nga Drejtoria e Spitalit RajonalNë përfundim, KPP vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e “Alko Impeks General”.

    – Në 3 maj 2023, KPP mori në shqyrtim kërkesën e kompanisë “Albavia” për skualifikimin e ofertës së kompanisë “Alko Impeks General” nga procedura tenderuese me objekt “Loti IV, Ura e Zëmçës

    – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja, të zhvilluar nga Bashkia Pogradec.Në përfundim, KPP vendosi pushimin e çështjes, duke lënë në fuqi fitues kompaninë “Alko Impeks General Construction”.

    – Në 10 nëntor 2022, KPP mori në shqyrtim ankesën kundër skualifikimit të ofertës së paraqitur nga “Alko Impeks General” në procedurën “Shërbimi i Pastrimit dhe largimit të mbeturinave për Bashkinë Vorë”, me fond limit 273.460.221 lekë të reja.

    Në përfundim, KPP, nën drejtimin e Jonaid Myzyri vendosi të pranojë ankesën e “Alko Impeks General”.

    – Në 16 maj 2022, KPP shqyrtoi ankesën e “Alko Impeks General” për skualifikimin e ofertës së saj nga tenderi “Shërbimi i pastrimit të territorit të Bashkisë Himarë”, me fondi limit 289.674. 042 lekë të reja.

    Edhe në këtë rast, KPP vendosi të pranojë ankimin e shoqërisë “Alko Impeks General”.

    – Në 28 janar 2022, Komisioni i Prokurimit Publik shqyrtoi ankesën e kompanive “GPG” dhe “Korsel”, të cilat kërkonin skualifikimin e ofertës së shoqërisë ‘Alko Impeks General Construction” nga tenderi “Shërbimi i pastrimit dhe grumbullimi i mbetjeve urbane në Bashkinë Lushnje”, me fond limit 49.968.489 lekë të reja.Në këtë rast, KPP e drejtuar nga Myzyri vendosi të mos pranojë ankimin, duke lënë në fuqi vendimin për shpalljen fitues të shoqërisë së familjes Abazi.

    – Në tetor 2021, KPP pranoi kërkesën e kompanisë “Alko Impeks”, e cila ankohej për skualifikimin nga procedura me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”, me fond limit 198.984.172 lekë të reja.(BoldNews.al)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark