
Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve, një industri multimilionëshe, kanë vendosur që ta mbajnë për u.d. Drejtor të Byrosë së Sigurimeve Shefik Gërbovcin, ani pse i njëjti e kishte deponuar dorëheqjen në shtet. Insajderi sjell detaje nga zhvillimet në këtë institucion
Ka afro dy vite që Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), institucionin buxheti i të cilit krijohet nga pagesat e sigurimeve të detyrueshme të veturave për të cilat shtetit obligon kosovarët që të i paguajnë, e menaxhon Shefik Gërbovci. Ishte caktuar ushtrues i detyrës, por periudha gjashtë mujorëshe e mbajtjes së posteve drejtuese në këtë formë ka kaluar moti.
Edhe vet Gërbovci e kishte vërejtur këtë. Ai më 19 qershor të këtij viti në shtet, Bankën Qendrore (BQK) që e mbikëqyr BKS-në veç e dorëzoi dorëheqjen. Arsye personale tha.
Por, Asambleja e Këshilli i BKS-së, që përbëhet nga drejtorë të deleguar nga kompanitë e sigurimeve, pronarët e të cilave kryesisht janë multi-milionerë në Republikën e Kosovës, nuk po lënë që të hyn në fuqi dorëheqja qe vet e deponoi Gërbovci.
Një javë më parë, Asambleja e BKS-së u mblodh. Burimet e Gazetës Insajderi treguan që në këtë mbledhje, dorëheqja e Gërbovcit sikur u anashkalua, pasi që ky mekanizëm i institucionit BKS vendosi që prapë të njëjtin person ta caktoi edhe një herë ushtrues detyre të Drejtorit.
Për më shumë, ky mekanizëm i BKS-së, i përbërë nga përfaqësues të deleguar nga pronarë të kompanive multi-milionëshe të sigurimeve, vendosi që ta anulonte edhe një konkurs publik pjesë e të cilit ishte edhe Gërbovci dhe dy persona të tjerë, dhe emrat e që të treve ishin dërguar në BQK.
Këto zhvillime i kanë konfirmuar në BQK e BKS, dhe i kanë komentuar për Insajderin.
“z.Gerbovci ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit te detyrës se Drejtorit Ekzekutiv tek Asambleja e Përgjithshme e BKS, e cila edhe është miratuar”, thuhet në përgjigjet e BKS-së, ku i informuar për dërgimin e tyre ka qenë edhe vetë Gërbovci.
Megjithatë, sipas tyre data e hyrjes në fuqi të dorëheqjes nuk “nuk është (ishte) 1 korrik, por është një datë e mëvonshme sipas miratimit të Asamblesë”.
BKS-ja i ka thënë Insajderit që për këtë proces është njoftuar BQK sipas rregullative në fuqi, por po ashtu, Gerbovci ka tërhequr aplikacionin për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv “për të vazhduar karrierën e tij me një drejtim tjetër”.
E BQK-ja në përgjigjet e dërguara tek Gazeta Insajderi ka dhënë më shumë detaje.
Ky institucion që ka nën mbikëqyrje BKS-në thotë se është njoftuar për dorëheqjen e Shefik Gërbovci nga ushtrimi i detyrës si Drejtor Ekzekutiv i BKS-së dhe si dhe nga procesi i rekrutimit në zhvillim për këtë pozitë.
“Dorëheqja është deponuar më 19 qershor 2025, ku është deklaruar se dorëheqja është dhënë për arsye personale, duke ofruar gatishmërinë për një proces të rregullt tranzitor sipas nevojës. Bazuar në këtë njoftim, ne presim nga organet drejtuese të BKS-së që të iniciojnë procedurat e rregullta për përzgjedhjen dhe emërimin e drejtorit të ri ekzekutiv, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia dhe stabiliteti institucional”, thuhet në përgjigjen e BQK-së, edhe pse edhe konkursi i fundit publik ishte konfirmuar si i rregullt nga po i njëjti institucion.
Së fundmi, BQK-ja i ka thënë Insajderit se janë njoftuar se Këshilli Administrativ ka propozuar që Gërbovci të vazhdojë në pozitën e ushtruesit të detyrës deri në zgjedhjen e drejtorit të ri ekzekutiv.
“Vendimi përkatës duhet të merret nga Asambleja e Përgjithshme e Byrosë, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e saj. Kjo e fundit ka mbajtur takimin e radhës më 30 qershor 2025, për të cilin ende jemi në pritje të njoftimit përfundimtar zyrtar. Ky njoftim do të vlerësohet mbi bazën e analizës së plotë ligjore dhe praktikës institucionale”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dërguar Insajderit.
Ata janë pyetur edhe për konkursin ku në BQK ishin deponuar tre emra, e që ishte konkurs i hapur, i konsideruar nga vet BQK-ja si i rregullt, dhe për anulimin e tij, nuk shohin ndonjë problem.
“Jemi gjithashtu të informuar për anulimin e procesit të fundit të rekrutimit nga organet drejtuese të BKS-së. Në rastet kur kandidati kryesor për pozitën e drejtorit ekzekutiv jep dorëheqje para përfundimit të procesit, anulimi i konkursit dhe rifillimi i procedurave përbëjnë veprime të rregullta dhe në përputhje me përgjegjësitë statutore të organeve drejtuese të BKS-së”, ka thënë BQk-ja në përgjigjen dërguar Insajderit.
Sipas kuadrit ligjor dhe rregullativ në fuqi, BQK-ja thotë se “pozita e drejtorit ekzekutiv të BKS-së i nënshtrohet aprovimit nga BQK” dhe sipas tyre në këtë kuadër, BQK shqyrton jo vetëm përshtatshmërinë dhe kompetencën e kandidatit, por edhe ligjshmërinë, rregullsinë dhe integritetin e procesit të përzgjedhjes, për të siguruar që çdo veprim të jetë në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe kërkesat ligjore që zbatohen për institucionet e mbikëqyrura.
Hetimet për 1 milionëshin, flasin BQK-ja e BKS-ja
Gazeta Insajderi i ka pyetur edhe për aferën mbi një milionë euro, ku janë mbi 44 pagesa për individë dhe një kompani e që auditori i brendshëm i BKS-së ka gjetur shpërputhje serioze deri në masën sa raporti të niset në Prokurori të Shtetit.
Insajderi merr vesh që tashmë ky rast i është ndarë në prokurori për hetim.
“Nëse institucionet kompetente, përfshirë Prokurorinë, paraqesin kërkesa zyrtare për dokumente, informacione apo bashkëpunim, BQK i përgjigjet këtyre kërkesave në përputhje të plotë me obligimet ligjore dhe rregullative në fuqi”, i ka thënë Insajderit BQK-ja.
Ata janë pyetur edhe nëse prokurori i rastit deri tash ka pyetur për dikë nga BKS-ja, që aktualisht janë në menaxhment, por në këtë rast BQK-ja e ka nxjerri “kartën e fshehtësisë zyrtare”.
“…për shkak të konfidencialitetit që e karakterizon këtë bashkëpunim dhe për të mbrojtur integritetin e procesit hetimor, nuk mund të japim detaje specifike lidhur me përmbajtjen apo subjektet e kërkesave të tilla”, i ka thënë Insajderit BQK-ja.
E nga BKS-ja, të pyetur për të njëjtin hetim, për aferën mbi një milionë euro, përgjegjësinë ia hedhin ish-menaxhmentit të BKS-së.
“…personat me autorizimet për pagesa bankare gjatë periudhës 2022-2023 (periudha kur auditimi i brendshëm zbuloi aferën mbi një milionë euro), periudhë të cilës ju po referoheni, nuk janë më punëtorë të BKS”, thuhet në përgjigjen dhënë Insajderit.
Sipas tyre, anëtarët e tjerë të menaxhmentit të kësaj periudhe e që janë ende pjesë e BKS-së, “përfshirë edhe z. Gerbovci që në atë kohë ka pas rolin e drejtorit të qendrës informative, nuk kanë pas autorizime apo role n proceset e procesimit të pagesave bankare”, thuhet në këtë përgjigje.
Gazeta Insajderi vitin e kaluar kishte ublikuar një seri hulumtimesh për zhvillimet brenda BKS-së, duke publikuar kështu edhe përmbajtjen e një raporti të vulosur konfidencial nga BQK-ja për monitorimin që shteti kishte bërë në këtë institucion.
Aty ishte raportuar prej një sulmi kibernetik, deri te pagesat që u konsideruan të dyshimta tek disa biznese, prej mënyrës se si në masë u larguan punëtorët e që e rrezikojnë buxhetin e BKS-së në shifra qindra-mijëra euro në konteste punë nëpër gjykata e deri tek alarmimi i BQK-së për mënyrën se si po silleshin në bazë pagesat e bërë nga qytetarët në kufi për polica.
Insajderi po ashtu ka raportuar edhe për procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri ekzkeutiv të BKS-së, që u bë i tillë vetëm pas raportimit të gazetës, pasi që herën e parë ishte tentuar që të bëhej me proces të brendshëm. /Gazeta Insajderi
Lexo raportimet e Insajderit për BKS-në