Janë bërë gati dy muaj që familja e Fejzullah Smajlit me banim në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj kanë mbetur të bllokuar. Kësaj familje iu është bllokuar hyrja në shtëpi dhe garazhë, derisa iu janë shkaktuar edhe dëme të shumta materiale. Krejt kjo për shkak të rrëshqitjes së tokës në atë zonë, derisa kompania “Andrra Residence” ishte duke rrënuar disa shtëpi për të ndërtuar një objekt banesor.
Gazeta Insajderi
Punimet për ndërtimin e një objekti banesor në rrugën “Emin Lati” të Skenderaj kanë filluar me 20 korrik 2023, por pa leje ndërtimore.
Kompania ndërtimore “Andrra Residence” kishte bërë kërkesë për leje ndërtimore me 14 gusht, ndërsa Komuna e Skenderajt ia dha lejen ndërtimore një ditë pas me 15 gusht 2023.
Por, gjatë punimeve u shkaktuan rrëshqitje të tokës, dhe si pasojë banorët atje u rrezikuan dhe pësuan dëme të mëdha materiale.
Familja e Fejzullah Smajlit u dëmtua më së shumti nga kjo rrëshqitje e tokës. Djali i pronarit të kësaj shtëpie, Tafil Smajli tha se dëmet janë të pariparueshme dhe rreziku të cilit i kanosen nga shembja e tokës është shumë i madh.
Ai për Insajderin tha se kompania private nuk ka pasur leje ndërtimore dhe se asnjë institucion nuk është angazhuar për t’i ndihmuar.
“Që afër dy muaj jemi bllokuar totalisht dhe nuk kemi mundësi hyrje as në garazhë. Është bllokuar totalisht hyrja për në shtëpi dhe nuk kemi asnjë institucion që është angazhuar për të na ofruar ndihmë. Dëmet janë të pariparueshme dhe jashtëzakonisht i madh por më e keqja është se jemi të rrezikuar çdo ditë e me shumë nga shembjet e përditshme që po bëhen. Nuk e di sesi lejohet që të shkaktohet demi çdo ditë e më shumë nga një kompani private e cila dëmin e ka shkaktuar pa pasur leje ndërtimore“, ka thënë Tafil Smajli.
Ndërsa, pronari i kompanisë “Andrra Residence”, Astrit Çitaku ka thënë për Insajderin se rrëshqitja e tokës ka ndodhur gjatë fazës se rrënimit te shtëpive.
“Gjatë fazës se rrënimit te shtëpive konform lejes përkatëse, ka ardhur deri te një rrëshqitje e paplanifikuar e tokës, jo për fajin tonë por për shkak se aty në pjesët e epërme jashtë perimetrit të parcelës së ndërtimit kishte pasur një mase të dheut e cila ka qene jo homogjene si dhe ndërtime pa leje dhe pa ndonjë standard duke e përfshirë edhe vet rrugën, dhe për të cilat ne nuk jemi përgjegjës dhe kemi te gjitha dëshmitë dhe fotot e bëra gjatë kësaj kohe“, u shpreh ai.
Tutje, Çitaku tha se kanë rënë dakord me pronarin e një shtëpie për kompensimin e dëmit.
Ai tha se janë të pajisur me të gjitha lejet dhe se brenda disa javësh hapësira përreth objektit do të sanohet.
“Jemi pajtuar dhe kemi arritur marrëveshje jashtëgjyqësore të nënshkruar me pronarin e një shtëpie për kompensimin e demit, si dhe për çdo dëm tjetër eventual te shkaktuar marrim përsipër që ta evitojmë dhe ta kthejmë ne gjendjen e mëparshme duke e përfshirë edhe rrugën dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse, gjë të cilën edhe ju kemi konfirmuar dhe zotuar me shkrim edhe te autoritetet komunale, duke i bashkangjitur edhe planin dinamik për rregullimin e asaj hapësirë, ku brenda javësh do te jete e sanuar në tërësi. Sa i përket çështjes se lejes ndërtimore, ju njoftojmë se ne jemi të pajisur me të gjitha lejet të cilat kërkohen sipas ligjit“, deklaroi pronari i kompanisë “Andrra Residence”.
Ndërkohë, opozita në Skenderaj ditë më parë ka dorëzuar ankesë tek Krimet Ekonomike në Mitrovicë kundër kryetarit Fadil Nura për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nga Lista Ideal kanë thënë për Insajderin se komuna ka lejuar punimet pa leje ndërtimi për më shumë se një muaj.
“Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Inspektoratit komunal kanë qenë në dijeni dhe të vetëdijshëm për këto punime ilegale dhe shkatërrim të Pronës Publike, por ata kanë zgjedhur rrugën që t’i dalin në krah operatorit ekonomik madje janë munduar ta paraqesin si OE të përgjegjshëm dhe i cili nuk ka faj për asnjë nga këto veprime. Sipas krejt kësaj del kryekëput që institucionet komunale kanë qenë bashëkryers të këtij krimi, shkatërrimit të pronës publike dhe bllokimin e tërësishëm të rrugës “Emin Lati”. Ndërsa pas ankesave tona dhe presionit publik komuna i ka lëshuar leje ndërtimi vetëm për bodrume, gati pas 1 muaj punime nga ana e Operatorit Ekonomik“, kanë thënë nga Lista Ideal për Gazetën Insajderi.