×
  • Lajme
  • Analiza

    Milioneri Xhavit Haliti ‘blen’ tokë dhe shtëpi gjatë seancës së Kuvendit

    Insajderi
    21 May 2021 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xhavit Haliti, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka zgjedhur dje të merret me krejt diçka tjetër në Kuvend, pavarësisht se në interpelancë ishte ftuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Ky i fundit po e arsyetonte uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë për shkak të buxhetit.

    Por, buxheti duket të mos jetë problem për Halitin, deputetin milioner, dhe të famshëm të Partisë Demokratike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në disa shkrepje që i ka siguruar Gazeta Insajderi, deputeti shihet teksa komunikon më dikë për blerje tokash dhe shtëpish.

    “Edhe për vneshta merruni vesh”, i thotë Haliti personit me mbiemër të njëjtë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Madje deputeti e pyet atë, nëse personi për të cilin flasin ka paguar ndonjë lekë për atë punë.

    “Pyete sa lekë i ka dhënë nga gjepi i tij”, shkruan Haliti në WhatsApp, transmeton Gazeta Insajderi.

    Madje, deputeti milioner se ka problem se cila pjesë do t’i takojë atij.

    “Dane për mu ka të doni”, thotë Haliti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Haliti që është njëri nga deputetët më të vjetër, dhe më me ndikim të Partisë Demokratike të Kosovës, është kapur në Kuvend, duke shikuar edhe plane shtëpish.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Halitin se për çfarë saktësisht ka komunikuar në telefon me personin që mban mbiemrin e tij, por i njëjti ka refuzuar të kallëzojë.

    “Plane shtëpish kam pa, të dërguara në fb tim. Tani po ua dërgoj edhe juve që t’i shihni”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderi, por sipas shkrepjeve, deputeti shihet se planet e shtëpive i ka përcjellë tek personi me të cilin ka komunikuar vazhdimisht.

    Deputeti s’e ka dhënë asnjë shpjegim se për çfarë pazari kanë diskutuar në WhatsApp, ndonëse shkrimi i mesazheve ka ndodh brenda sallës së Parlamentit, hapësirë kjo publike e cila gjatë gjithë kohës vëzhgohet nga gazetarët dhe kameramanët.

    “Ndërsa për kontrollin e telefonit tim ju s’keni të drejt ta bëni. Është shkelje e privatësisë. Telefoni im është privat”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderi.

    Ndryshe, pasuria e Xhavit Haliti, të cilit iu bë virale një deklaratë televizive ku thoshte se “krejt i kemi nga 2-3 milionë euro” njëmend prek milionëshin.

    Në deklarimin e pasurisë të vitit 2019, të bërë në Agjencionin Kundër Korrupsionit, ai shihet se ai ka mbi 1 milion euro pasuri të paluajtshme.

    Haliti ka deklaruar dy shtëpi me vlerë nga 200 mijë euro; një banese me vlerë 200 mijë euro dhe tokë me vlerë 400 mijë euro.

    Ai po ashtu ka deklaruar tokë pyjore me vlerë 20 mijë euro dhe pasuri të luajtshme si veturë e stoli ari me vlerë mijëra euro.

    Në një bankë, zyrtari i PDK-së ka deklaruar se ka 146 mijë e 362 euro të gatshme, ndërsa nuk ka asnjë borxh, derisa deklarimi i pasurisë për këtë vit ende nuk është publikuar nga AKK, ndonëse shumica e zyrtarëve të lartë shtetërorë, i kanë dorëzuar formularët e pasurisë, ashtu siç e parasheh Ligji./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark