×
  • Lajme
  • Insajderi

    Militantja e Vetëvendosjes bëhet mësimdhënëse në Podujevë, ngriten dyshime për konkursin

    Insajderi
    28 April 2022 - 21:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëm një vit pas përfundimit të studimeve master, aktivistja e Vetëvendosjes në Podujevë, Marigona Çitaku u rehatua në punë, shkruan Insajderi

    Në komunën e udhëhequr nga VV-ja ishte pikërisht Çitaku e cila arriti pikët më të larta në krahasim me kandidatët e tjerë për mësuese në shkollën ekonomike.

    Aktivizmi i saj për partinë që e punësoi vërehet qartazi nga rrjeti social Facebook, rrjet ky ku vërshojnë postimet kushtuar VV-së e kryetarit aktual në Podujevë, Shpejtim Bulliqi.

    Akuzat ndaj konkursit për mësues/e në Podujevë

    Kundër punësimit të Çitakut, u ankua aplikuesja tjetër Elza Qorraj.

    Kjo e fundit në listën e publikuar me emrat që do të kryenin testin me shkrim nuk figuronte fare. Kjo u kuptua vetëm më pas kur përmes një njoftimi të veçantë Qorraj u ftua në test, raporton Insajderi.

    Gazeta Insajderi në pamundësi që të kontaktojë me kandidaten Qorraj, ka kontaktuar bashkëshortin e saj Erdin Haxhiu i cili shpjegoi rrethanat e gjithë ngjarjes.

    “Bashkëshortja ime ka qenë në rregull me të gjitha dokumentet, edhe ne normalisht e prisnim që të ishte në listë, kur ka dalë lista emrin se ka pas aty hiç. Kështu që unë, atë ditë jam shku me u taku me drejtorin e arsimit, Avni Fetahu dhe ia kam tregu problemin, pak më vonë e kanë publiku si dokument të veçantë se gabimi ka qenë teknik”, tha Erdin Haxhiu për Insajderin.

    Pasi Qorraj përfundoi testin me shkrim të cilin ajo nuk e konsideron aspak adekuat për pozitën në fjalë, e njejta kishte arritur të marrë vetëm 28 pikë, shkruan Insajderi

    Kurse sipas burimeve të Insajderit që Çitaku do të zinte atë vend pune ishte diskutuar edhe shumë më parë, madje edhe para hapjes së konkursit.

    Shqetësimi i kandidates dhe bashkëshortit të saj qëndron në faktin se ajo ka të përfunduar edhe nivelin e studimit të doktoratës, dhe është e e vetmja nga të gjithë aplikantët që ka notën 10.0.

    “Elza ka notën mesatare 10.0, e vetmja nga krejt ata që kanë apliku, pa desht me i nënvlersu aspak. E dyta, ajo ka edhe PHD-në e përfunduar, ka kry praktike në një shkollë në Deçan dhe për tre vite asistente e angazhume në kuadër të Universitetit Publik të Gjilanit. Plus asaj ne kemi dyshu prej ditës që se kan thirrë në test me shkrim, po kuptohet qartë se gjithçka ka qenë e kordinume”, tha Haxhiu për Insajderin.

    Qorraj gjithashtu në një email dërguar drejtorit të arsimit, Avni Fetahu thotë se ka mundësi që testi të mos jetë i njëjtë për të gjithë kandidatët.

    Ndryshe, në janar të këtij viti, Drejtoria për Arsim në Podujevë, kishte hapur konkursin për 12 pozita në shkolla fillore dhe të mesme të kësaj komuneI njoftuar për dyshimet e Qorrajt del të jetë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, pasi të njejtit ajo i është drejtuar me një email.

    Në email-en e dërguar tek kryeministri, Qorraj ka treguar për pakënaqësitë rreth këtij konkursi.

    ” Fillimisht nuk isha e perfshire ne listen per te marr pjese ne test (sipas tyre eshte bere gabim teknik) me pas u publikua njoftimi shtese qe me lejohet pjesmarrja ne test, nga rezultatet e testit rezulton qe nuk kam kaluar 50% qe te marr pjese ne intervist, e respektoj vlersimin e tyre por mendoj qe testi nuk ka qene i pershtatshem per te matur performancen se sa nje kandidate osht me i mire se tjetri”, ka shkruar Qorraj në adresen e Kurtit.

    Ajo gjithashtu shkroi rreth të arriturave akademike të saj në drejtimin ku edhe aplikoj për punë

    “Kam diplomuar bachelor dhe master drejtimi Ekonomiks me mesatare 10.00 kam qene 2 vite bursiste e Universitetit, kam edhe nje master tjeter ne Menaxhim te Patundshmerive – Eslg (Kolegj Slloven ne Kosove ku kam fituar burs 100%) si dhe tani jam ne faze te fundit te mbrojtjes se temes se doktorates ne Ekonomi (drejtimi Ekonomiks)”, thuhet në email-in dërguar Kurtit.

    Përgjigjia e komunës rreth mundësisë për parregullësi në konkurs

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar komunën e Podujevës në lidhje me parregullsitë e raportuara në këtë konkurs.

    Sipas tyre, Marigona Çitaku i ka plotësuar të gjitha kriteret, duke përfshirë 76 pikë në testin me shkrim dhe notën mesatare të lartë të nivelit master.

    “Sa i përket pranimit te kandidates Marigonë Çitaku, ajo i ka plotësuar te gjitha kriteret e parapara dhe ka te mbaruar studimet e nivelit master me note mesatare te larte. Ajo ka treguar performancë të lartë në testimin me shkrim dhe në interviste me gojë, sipas komisionit të caktuar për pranimin e ri të mësimdhënësve në këtë konkurs. Kandidatje Marigona Çitaku ka plotësuar kriterin e testimit me shkrim, e këtë kriter nuk e ka plotësuar kandidatja Elza Qorraj”, thuhet në përgjigjen e komunës së Podujevës për Insajderin.

    Kurse dyshimet se Çitaku mund të jetë punësuar për shkak të afërsisë me partinë në pushtet i hedh poshtë komuna e Podujevës, pasi të njëjtit thonë se kjo nuk ka ndikuar as ne favorizim te dikujt apo diskriminim te dikujt tjetër.

    “Ndërsa, sa i përket ndikimit te ndokujt apo për shkak te afërsisë me një subjekt të caktuar politik nuk  qëndron, kjo nuk ka ndikuar as në favorizim të dikujt apo diskriminim të dikujt tjetër. Përgjigjja ime për këtë çështje është në e-mailin paraprak”, thuhet në përgjigjien e komunës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark