Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari në konferencën që sot ka mbajtur pas mbledhjes së kryesisë është pyetur për raportet Kosovë-Shqipëri pas iniciativës ‘Open Balkan’.
Mimoza Kusari ka thënë se sa i përket Open Balkan, ende nuk janë arsyetuar deklarimet që e kanë iniciuar këtë nismë.
“Unë mendoj që ajo se çka është diskutuar deri tash janë informacione që nuk janë trajtuar asnjëherë, prej kur është plasuar minishengeni deri tash ‘Open Balkan’, nuk janë arsyetuar deklarimet e tyre që e iniciuan, pse duhet të jetë më mirë. Në rrethana në të cilat Kosova ka një histori tepër të rëndë, nuk mundemi ne që një far mënyre të besojmë që Serbia ndryshon”, thotë ajo.
Kusari e ka përmendur edhe faktin se edhe partitë tjera nuk e kanë përkrahur këtë iniciativë.
“Tashmë ekziston deklarimi i të gjitha partive në Kosovë që nuk e mbështetim një ‘Open Balkan’, e kemi pas një kryeministër që ka nënshkruar për minishengenin, po e njëjta parti tash e ka kundërshtu, ne nga fillimi e kemi kundërshtuar, sepse në këtë moment, Serbia është bosht i kësaj iniciative.
Nuk jemi i vetmi shtet që po e refuzojmë, tri nga gjashtë shtetet e kundërshtojnë iniciativën”, thotë Kusari, duke shtuar se raportet me Shqipërinë janë të veçanta, e se me kryeministrin shqiptar Edi Ramën do të diskutohet por jo për këtë ide.
“Në raport me Shqipërinë, jemi më tepër ithtar të trajtimit të problemeve aktuale, qoftë në shkëmbime tregtare, qoftë në sfidat tjera.
Çka do që mund të jenë nismat, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbeten më të veçantat për qytetarët e Republikës, me kryeministrin Rama në iniciativën që njëanshëm e filloi ai natyrisht se do të vazhdohet biseda, por jo për këtë ide”, thotë e njejta.