Fadil Bejta dhe Alban Krasniqi janë dy nga pesë emrat e anëtarëve të përzgjedhur për bordin mbikëqyrës të Trepçës. Që të dy, në të kaluarën kanë pasur lidhje me partinë në pushtet. Bejta kishte qenë donator i LVV’së në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa Krasniqi ishte ish-kandidat i VV’së për asamble komunale në Vushtrri.
Pa kaluar ende dy muaj pa ekzekutim pagash ndaj minatorët, kryeministri Kurti mori një vendim që ta “mbikëqyrte” Trepçën me njerëz të afërt me partinë e tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Më 10 korrik të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë u votuan pesë anëtarë të bordit si vijojnë: Mentor Berisha kryesues dhe anëtarë: Fadil Bejta, Alban Krasniqi, Merita Gashi dhe Sadije Gashi.
Kurti tha se emrat nga lista e ngushtë ishin dërguar në komisionin për verifikim në KQZ dhe në Thesarin e Kosovës. Komisioni më pas ia ka propozuar këta emra, sipas shefit të Qeverisë.
Kush janë Fadil Bejta dhe Alban Krasniqi?
Fadil Bejta ka shërbyer si ish-kryetar i bordit të Postës së Kosovës, i përzgjedhur nga Qeveria Kurti, deri në momentin e dhënies së dorëheqjes.
Në media ishte raportuar se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte performanca e dobët në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës, ndonëse Bejta e kishte mohuar vetë këtë, duke thënë se ishte “lutur” për një pozitë më të mirë.
Bejta, që u emërua në bordin mbikëqyrës të Trepçës, ishte edhe donator i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Në listën e donacioneve publike të LVV-së, emri i tij figuronte dy herë.
Ne emër të tij, dy ditë para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, ishin dhënë 1 mijë euro. Po ashtu gjithashtu edhe një donacion prej 50 eurove të dhëna po atë vit.
Alban Krasniqi, përpara se të emërohej me mandat si anëtar i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, shërbente si ushtrues detyre i anëtarit të po të njëjtit bord.
Krasniqi ishte ish-kandidat i VV’së për ansamble komunale të Vushtrrisë në zgjedhjet e 2017-ës.
Ai në fund të dhjetorit të vitit që shkoi u emërua njëherësh edhe ushtrues detyre i Sekretarit të Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Problemet e Trepçës me paga të minatorëve
Minatorët e Trepçës tash e dy muaj kanë ngelur pa paga. Në një komunikatë për media që kanë lëshuar shoqëria aksionare “Trepça”, aty përmendet edhe përformanca e ulët e prodhimit dhe kriza financiare.
“Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar”, u tha në komunikatën e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se minatorët dëshirojnë pagat e tyre.
Në takimin që po mbahet në minierën e Trepçës, Jonuzi është shprehur para kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, Bashkim Kurti, se nuk janë duke bërë politikë.
“Me shku si minator se jemi duke e kërkuar pagën. Nuk jemi t’u bo politikë, pagën aman, pagën se na kanë mbetur fëmija pa bukë”, deklaroi Januzi.
Sot po mbahet një takim ku minatorët po bisedojnë në lidhje me gjendjen e rënduar të tyre, pasi kanë njoftuar se nuk kanë marrë ende as pagën e muajit qershor.
Në anën tjetër, Trepça dje tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës për rregullimin e çështjes së pagave. Askush nga Qeveria s’e ka komentuar gjendjen e minatorëve.
“Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj, po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate”, u tha në komunikatën e djeshme të tyre.
Probleme të kësaj natyre me paga kishte pasur edhe përpara majit e qershorit. Gazeta Insajderi kishte raportuar në prill të këtij viti se si minatorët kishin mbetur pa paga në ditën e festës së Bajramit.
Insajderi kishte kontaktuar me kryesindikalistin e minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzin, për ta pyetur lidhur me çështjen e mos-ekzekutimit të pagave të minatorëve në prag festash.
Ai kishte thënë se minatorët i kanë pasur të nevojshme pagat e tyre, që ta festojnë festën e Bajramit.
“Po, është e vërtetë se minatorët nuk i kanë marrë pagat edhe pse është kanë e nevojshme pasi jemi në festë të Fiter Bajramit”, kishte deklaruar ai.
Ndonëse afati kohor për ekzekutimin e pagave për minatorët është nga data 5 deri në 10 të muajit, Jonuzi thoshte se Qeveria do duhej të kishte konsideratë për festën e Fiter Bajramit.
“Ekspertizat” e Kurtit në të kaluarën për Trepçën
Kurti, sa ishte në opozitë, kritikonte ashpër partitë e tjera për trajtimin që po ia bënin ndërmarrjes publike “Trepça”. Në vitin 2015, Kurti në një intervistë kishte treguar kalkulimet e ekspertëve të Vetëvendosjes sa i përket investimeve dhe pasurisë së Trepçës.
Ai thoshte se nëse investohen në Trepçë 177 milion euro, qysh në vitin e parë do të mund të merrnim 450 milion euro
“Në bazë të ekspertëve të Vetëvendosjes, nëse investohen në Trepçë, është një kalkulim i gjatë, 177 milion euro, atëherë nga eksporti i metaleve të përpunuara dhe gjysmë të përpunuara qysh në vitin e parë do të mund të merrnim 450 milion euro, sipas çmimeve të tregut botëror që janë sot”, kishte deklaruar Kurti.
Kurti para zgjedhjeve elektorale thoshte se mos-investimi në “Trepçë” është krim.
“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, deklaronte Kurti asokohe. /Insajderi.org/