Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës në lidhje me arrestimet që po ndodhin me kërkesë të Serbisë për ish-komandantët e UÇK-së.
Gazeta “Zëri” ka provuar që në lidhje me këtë çështje të intervistojë ministrin e Brendshëm Skënder Hyseni, por pavarësisht kërkesës, zëdhënësja Rroksana Qarri, duke përcjellë qëndrimin e ministrit Hyseni, ka kërkuar që për këto çështje pyetjet t’i adresohen Ministrisë së Drejtësisë si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).
Ndërkohë që përmes zyrës për informim, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha është përgjigjur në mënyrë shumë të rezervuar në disa nga pyetjet e parashtruara nga “Zëri”.
Ndonëse për opozitën çështja e arrestimeve me kërkesë të Serbisë është çështje e tri ministrive: MD-së, MPJ-së dhe MPB-së, në shumicën e pyetjeve ministrja Hoxha kërkon që përgjegjësia të kërkohet nga “institucionet tjera relevante”.
Ramush Haradinaj është arrestuar nga autoritetet franceze me një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Ai po vazhdon të mbahet në Francë, pas vendimit për ta liruar por vetëm me kusht.