“Ministre, ministre”, pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ministre, ministre”, pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes?

    Insajderi
    28 April 2022 - 20:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përplasje të ashpra dhe me ofendime kanë ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, por edhe ndërmjet kryetarit të Kuvendit dhe ministres së Drejtësisë.

    Mëngjesi në seancën e sotme, nisi me përplasjen mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Përderisa deputetët opozitarë të PDK-së nisën të godisnin tavolinat në shenjë proteste ndaj Haxhiut, e cila nuk ia lejonte radhën Tahirit për të folur, erdhi ndërhyrja e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

    “Ministre, ministre…”, dëgjohet duke e thirrur Konjufca disa herë ministren Haxhiu, e cila refuzon të ndalet së foluri.

    “Me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës?”, pyet Konjufca Haxhiun.

    Megjithatë, një reagim i papritur vjen nga Haxhiu ndaj Konjufcës, me të cilin vijnë nga e njëjta parti.

    “S’është në rregull me ra në presion të opozitës. Nuk kanë të drejtë, unë e kam fjalën time”, i reagon Haxhiu Konjufcës.

    “P’e di, po…”, nis të flas Konjufca, i cili sërish ndërpritet nga Haxhiu.

    “Unë e kam fjalën time, kryetar dhe nuk lëvizi pa e kry fjalën”, ndërhyn ajo.

    Haxhiu vazhdon të rrijë te foltorja edhe për disa momente, përderisa goditjet e tavolinave vazhdojnë nga deputetët e PDK-së. Pas pak, megjithëse me vështirësi, gjendet një dakordancë mes Haxhiut e Konjufcës për t’ia lënë radhën PDK-së për të folur.

    Kur Tahiri e merr fjalën, goditjet e tavolinave kalojnë nga ana e Grupit Parlamentar të VV-së, kur kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri lëshon një ofendim të rëndë ndaj deputetëve të VV-së, për të cilën gjë kërkoi falje publike pak minuta më vonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark