Në Berlin janë shtuar kundërshtimet ndaj planeve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën nga frika se kjo në Gjermani do të mund të sillte probleme me kriminalitetin dhe ardhjen e azilantëve të ri, shkruan sot Focus.de.
Derisa Komisioni Evropian do të ishte për dhënien e dritës jeshile për heqjen e vizave për qytetarët e shteteve në fjalë, është anëtari i partisë konservative bavareze – CSU, Joachim Herrmann, i cili paralajmëron për rrezikun nga liberalizimi i vizave dhe përkujton se heqja e hershme e vizave do të shtonte numrin e kërkesave për azil.
Ministri i Punëve të Brendshme të krahinës së Bavarisë, Herrmann thotë se liberalizimi i vizave për këto shtete duhet të vijë gradualisht.
“Së pari, duhet krijuar mekanizmat me të cilët do të parandaloheshin keqpërdorimet e rregullave tona për marrjen e azilit”, citohet të ketë thënë ai, shkruan “Weltamsontag”.
Para vendosjes së rasteve të reja të liberalizimit të vizave, duhet të vendoset klauzola për suspendim, konsideron ai.
Kosova, Gjeorgjia dhe Ukraina pritet të marrin edhe aprovimin rreth liberalizimit të vizave gjatë muajve të ardhshëm. /Insajderi.com