Ministri i Brendshëm në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq e sheh “të rrezikshme” deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili deklaroi sot se bashkimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i mundshëm nëse Shqipëria nuk ka perspektivë drejt Bashkimit Evropian.
Në një konferencë për medie, Stefanoviq ka thënë se deklarata e Ramës nuk i kontribuon marrëdhënieve ndemjet të dyja shteteve.
“Nëse kjo është me të vërtetë çfarë Rama ka thënë, është një deklaratë shumë e rrezikshme. Nuk kontribuon në asnjë gjë të mirë në rajon, ashtu siç nuk kontribuon në relacionet me BE-në, dhe po ashtu as fqinjësisë së mirë”, u tha Stefanoviq gazetarëve ne Beogrd, shkruan portali serb Blic.
Ai tha se kjo është një deklaratë e papërgjegjshme, e cila “nxit konflikte dhe bën thirrje për shkatërrimin e rendit kushtetues të vendit tonë”.
Stefanoviq ka thënë se politikanët në Evropë duhet ta dinë se paqja, prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik në rajon mund të ndërtohet vetëm në bazë të partneritetit, respektit reciprok, dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. /Insajderi.com