Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka pritur sot në takim Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Lorenz Caffier, me të cilin kanë biseduar kryesisht në lidhje me krizën e refugjatëve.
Pas takimit, Hyseni dhe homologu i tij Caffier, janë shprehur se do të bashkëpunojnë lidhur edhe me liberalizimin e vizave dhe luftimin e krimit të organizuar si dhe riatdhesimin e emigrantëve të vitit të kaluar.
“Kosova konsideron partneritet kyç atë me Gjermaninë dhe këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë përpara. Trajtuam në mënyrë sipërfaqësore temën e migrimit nga lindja që po përballet Evropa Perëndimore. Faleminderit për mbështetjen dhe zemërgjerësinë që Gjermania ka pranuar një numër refugjatësh nga Kosova në kohën e luftës”, tha Hyseni.
Ndërkohë ministri i Brendshëm gjerman, Lorenz Caffier, ka falënderuar Kosovën për mbështetjen që i ka dhënë Gjermanisë sa i përket riatdhesimit të emigrantëve.
Caffier gjithashtu tha se Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol për shkak të sigurisë së brendshme.
Sipas tij, Evropa duhet të bashkëpunojë që të luftojë dukurinë e krimit.
“Një çështje e rëndësishme për ministrinë është siguria e brendshme. Për këtë arsye duhet të anëtarësoheni në Interpol për të luftuar krimin. Dua të theksoj se ne në Evropë duhet të bashkëpunojmë që ta luftojmë këtë dukuri”, tha Caffier.
E sa i përket liberalizimit të vizave, sipas ministrit Hyseni kjo duhet të ndodh sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Në anën tjetër ministri gjerman Caffier, tha se do të përcjellim gjitha progresin e Kosovës por vendimi për liberalizimin e vizave nuk varet vetëm nga Gjermania po edhe nga shtet anëtare të BE-së./Insajderi.com