Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Washington, ku është takuar me zyrtarë të drejtësisë dhe sigurisë së këtij vendi.
Siç njofto zyra për komunikim e ministrisë, temat kyçe të bisedave që ministri Hyseni pati në këto takime ishin parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, luftimi i krimit, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar policor.
Në ditën e parë të vizitës, Hyseni është takuar me Bruce Swartz, zëvendës-asistent i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe z. Wayne Salzgaber, zëvendës-drejtor i Byrosë Nacionale Amerikane për INTERPOL, njofton Ministria e Brendshme përmes një komunikate për media.
“Bashkëbiseduesit amerikanë vlerësuan lartë të arriturat e Kosovës në përballjen e saj me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin. U konstatua se tashmë Kosova ka demonstruar efikasitet në parandalim të këtyre dukurive, që Kosovën e bëjnë shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për shumë vende tjera të botës”, thuhet në komunikatë.
Në takime është folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL./Insajderi.com