Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, dje u nisë ta takojë kryetarin Lulzim Hetemin në Leposaviq, por u raportua se u kthye prapa nga KFOR-i.
Për vizitën e Liburn Aliut në komunën e Leposaviqit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kishin nisur një plan operativ, por në media u raportua se KFOR-i si masë parandaluese të reagimit të protestuesve e kishte ndaluar Aliun.
Ministri Aliu përmes një njoftimi në “Facebook”, tha se nuk është kthyer nga KFOR-i. Sipas tij me rekomandimin e Policisë së Kosovës nuk ka vazhduar tutje.
“Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi, janë të pavërteta. Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim. Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth“, tha ai.