Ish-ministri i jashtëm i ish-Jugosllavisë, dhe një prej shërbyesve më besnik të Sllobodan Millosheviqit, Vlladisllav Jovanoviq ka komentuar lajmin që u shfaq në media në rajon se kryeministri slloven Janez Jansha kishte propozuar si fund paqësor të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ndarjen e Bosnjes dhe Hercegovinës dhe krijimin e një “Serbie të Madhe dhe një “Shqipërie të Madhe”, ai pretendon se kjo “është tullumbace prove për të parë reagimet e palëve të interesuara”.
“A e ka propozuar ai vetë këtë apo dikush i ka pëshpëritur nuk dihet. Pyetja e madhe është nëse është iniciativë e tij e pavarur apo është lëshuar një tullumbace prove për të shikuar reagimin në rajon dhe veçanërisht në BeH dhe për të parë reagimet e palëve të tjera të interesit për këtë rajon, kryesisht të Gjermanisë dhe të tjerëve. Është vështirë në këtë moment të përcaktohet natyra e vërtetë dhe fushëveprimi i vërtetë i një ideje të tillë”, ka deklaruar Jovanoviq për Kosovo Online.
Ai ka deklaruar se të gjitha mundësitë janë të hapura dhe theksoi se ideja erdhi nga Sllovenia, e cila dikur ishte mbrojtëse e një shpërbërje paqësore të RSFJ-së.
“Duket se BeH kështu si është, ajo tashmë ka filluar të bëhet një lodhje për ata që e krijuan atë, dhe kjo kryesisht për SHBA dhe BE. Ndoshta edhe ata kanë filluar të mendojnë për ndonjë zgjidhje alternative. Le të mos harrojmë se rreth një ose dy vjet më parë, dhe madje edhe më herët, ideja e mundësisë së krijimit të shteteve nacionale në Ballkan u lançua pikërisht në publikun amerikan. Multietniciteti nuk duket se po kalon, nuk po zë rrënjë dhe mbase për këtë duhet të konisderohet mundësia e krijimit të shteteve nacionale. Kjo do të thotë se në këtë rast do të vjen deri te rrumbullakësimi i Kroacisë, Serbisë dhe Kosovës, e cila ndoshta do të bëhej pjesë e Shqipërisë, por ideja nuk u përpunua më tej dhe ra në hije, por tani ajo mund të jetë një përpjekje për të ringjallur idenë, një zog i ri i cili u lëshua nga kafazi për të parë a mund të llogaritet në këtë”, konsideron Jovanoviq.
Duke theksuar se nuk ka gjasa që vetë Jansha ta ketë propozuar këtë, Jovanoviq pyet se kush mund të ishte prapa një ideje të tillë. “Kush e inkurajoi atë në BE? Unë nuk besoj se është Gjermania. Unë nuk jam i sigurt për Francën. Për një kohë, Macron filloi të merret me Ballkanin, por Franca kurrë nuk kishte ndonjë ndikim të madh në Slloveni. Britania sigurisht nuk është. A janë shfaqur amerikanët me këtë ide se Dejtoni nuk është funksional dhe se kjo mund të jetë e lidhur me Kosovës? A do të ishte një ndarje paqësore e BeH një satisfaksion për Serbinë për të njohur pavarësinë e Kosovës? Mund të jetë një lloj të kompensimit në të cilin ata llogarisin. Por kjo nuk është në kuadër të politikës reale”, ka thënë Jovanoviq./Insajderi.org.