Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, tash e disa muaj po kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta largoj nga puna Sekretarin e Përgjithshëm në ministrinë e Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
Gazeta Blic ka mësuar nga burimet e saja se ministri Latifi ka kohë që i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për shkarkim e Bardiqin, por që kërkesa e ministrit të Shëndetësisë zor se do të realizohet.
Kurti ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta shkarkoj sekretarin e MSH-së Naim Bardiqi, por që burimet e gazetës kanë thënë se kjo nuk do të ndodh.
“ Gozhda në sharrë” i ka qëlluar Rifat Latifit për shkak se në këtë ‘mesele’ është përfshirë dikush më i ‘madh’ se ministri Rifat Latifi.
“Kurti nuk do ta shkarkoj sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë për shkak se aty ka intervenuar dikush që ka ndikim në politikë e në shoqëri”, ka thënë një burim tjetër i gazetës.
Gazeta Blic ka kontaktuar me sekretarin Naim Bardiqi, i cili shkurt ka thënë se ‘nuk di asgjë për këtë’.
“ Nuk jam në dijeni për këtë që po flisni … ndoshta edhe mund të ketë ndodhur një kërkesë e tillë”, ka thënë ai.
Nga Ministria e Shëndetësisë askush nuk ka folur për kërkesën e ministrit Rifat Latifi për shefin e tij Albin Kurti për shkarkimin ne sekretarit në këtë ministri.
Brenda kësaj ministrie, ka dy muaj që nuk ka asnjë kontakt apo takim midis të parit dhe të dytë në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ka më shumë se dy muaj që Naim Bardiqi nuk komunikon me ministrin Latifi”, ka treguar ky burim.
Ndryshe, Bardiqi njihet edhe si njeri i afërm i Arben Vitisë- ish ministër i Shëndetësisë, i cili u largua për shkak të garës për kryetar të Prishtinës.