Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, hedh poshtë faktin që Athina dhe Tirana kanë përfshirë “çështjen çame” në çështjet pezull për t’u zgjidhur midis dy vendeve.
Ai ka pranuar se para pesë muajsh kishte hartuar një dokument “non paper”, që ia kishte dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në të cilën propozonte për të diskutuar problemet që mbeten ende të pazgjidhura midis dy vendeve në 50 vitet e fundit, njofton Top Channel.
“Por ka qenë pala shqiptare, që më bëri një kundërpropozim, i cili përfshinte edhe çështjen çame. Ne u thamë se kjo çështje nuk është objekt bisede, është jashtë negociatave dhe nuk e negociojmë atë”, ka deklaruar Kotzias, duke shtuar se për këtë janë informuar dhe europianët.
“Por ne nuk i vumë europianët të ndërmjetësojnë, sepse ne jemi duke negociuar me shqiptarët dhe shqiptarët me ne”,ka shtuar ai.
Sa i përket deklaratës së komisionerit Hahn – i cili ka thënë se Greqia e Shqipëria do të bisedojnë për çështjen çame – kryediplomati grek ka thënë se zyrtari evropian ka bërë një deklaratë të pakujdesshme, dhe më pas kërkoi të falur. Por, sipas ministrit grek, ky referim nga Hahn “la shenjën e vet.”