Pas raportimit në media se si disa nxënës nga komunitetet pakicë u lanë anash në Festën e Abetares në një shkollë në Pejë, ka reaguar Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ai ka thënë se ndihet i shqetësuar me këtë rast edhe si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, dënon ashpër këtë gjest dhe njëkohësisht fton institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent.
“Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë”, shkroi Krasniqi në facebook.
Ai gjithashtu tha se nga Ministrja Arbërie Nagavci u njoftua se janë duke e trajtuar rastin.
“Nga Ministrja Arbërie Nagavci u njoftova se janë duke e trajtuar rastin në mënyrë që të kuptohet e vërteta dhe se në shkollat tona s’ka hapësirë për diskriminim e pabarazi. Faleminderit mediave për senzibilizimin dhe raportimin e këtyre veprimeve të patolerusheme. Dhe njëherë ju drejtohem me thirrjen se përdorimi i termit ‘RAE’ është joadekuat dhe ofendues”, shkroi ministri Krasniqi.