Ministri malazez refuzon ta ekstradojë në Kosovë serbin e akuzuar për krime lufte – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri malazez refuzon ta ekstradojë në Kosovë serbin e akuzuar për krime lufte

    Insajderi
    26 October 2023 - 12:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Marko Kovaç, ka refuzuar kërkesën e Kosovës për ekstradimin e shtetasit serb Momçilo Vukotiq 61-vjeçar, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, i cili u arrestua në Mal të Zi dhe ndodhet në paraburgim.

    Kështu po raportohet me burime nga radio televizioni malazez, duke shtuar se gjykata konstatoi se ishin plotësuar kërkesat ligjore për ekstradim, por që Kovaç e refuzoi kërkesën. Ai beson se është shkelur neni i tretë i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore.

    “Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime dyshohet se i ka kryer Vukotiqi, të cilat janë pjesë e veprave penale, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh është paraqitur një dëshmitar. i cili e njohu foton e tij”, tha ai, sipas ‘RTCG’.

    Ky nuk është rasti i vetëm ku Kosova kërkon që të dorëzohen shtetasit e Serbisë të akuzuar për krim lufte.

    “Momenti politik, marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës në aspektin e mungesës së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të gjyqësorit të tyre dhe tensioneve të shtuara, të cilat kulmojnë me diçka që nxjerr në pah dyshimin se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe sigurisht që bëhet fjalë për një person të moshuar. Është konstatuar se ekstradimi do të ishte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, dhe baza dhe autoriteti për refuzimin buron nga ligji për ndihmën juridike ndërkombëtare në çështjet penale dhe nga Konventa Evropiane për Ekstradimin”, citohet të ketë thënë Ministria e Drejtësisë atje.

    Policia malazeze arrestoi Vukotiqin, shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në vitin 1999, në territorin e Pejës. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark