Me rastin e paralajmërimit të Presidentes Osmani se nëse ushtria serbe e kalon kufirin atë do ta presë NATO, shkaktoi nervozizëm në Serbi, dhe nuk vonoi reagimi i njërit prej servilëve të Vuçiqit, ministrit serb të mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq.
Ai thotë se “nuk ka kufi në mes Serbisë dhe Kosovës”.
“Ekziston vetëm një vijë administrative me krahinën tonë jugore, e çka është dallimi i madh”, ka deklaruar Stefanoviq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Ai shtoi se “dëshiron ta falënderojë Osmanin për interesin e saj për ushtrinë serbe”.
“Është e kuptueshme se interesimi po bëhet gjithnjë e më i madh, sepse ushtria serbe po forcohet dita ditës dhe do të vazhdojë të bëhet edhe më e fortë. Kjo është arsyeja pse jam i sigurt që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë do të respektojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB. Unë jam gjithashtu 100 për qind i sigurt se ata e dinë pse nuk lejohen dhe nuk mund të hyjnë me forcë në veri të Kosovës”, ka thënë Stefanoviq.
Ai pretendon se është e qartë për të pse zyrtarët e Prishtinës “janë vazhdimisht nervozë”.
Stefanoviq gjithashtu pretendon se me rastin e vlerësimeve të Osmanit për stërvitjet me Rusinë dhe Bjellorusinë në të cilat ushtria serbe merr pjesë, se Serbia “dëshiron anëtarësimin në BE”.
Ai thotë se ky është një “qëllim strategjik i Serbisë, por gjithashtu se Serbia është gjithashtu një vend ushtarakisht neutral”.
“Dhe kjo është arsyeja pse ajo ka mundësi dhe privilegj të organizojë ushtrime ushtarake me Rusinë, por edhe me vendet e tjera, sa herë që është në interes të vendit tonë”, ka pretenduar Stefanoviq./Insajderi.org.