Ministri i mbrojtjes i Serbisë Nebojsha Stefanoviq ka thënë në një intervistë për portalin serb Kosovo Online se nuk ka asnjë dokument ndërkombëtar që i lejon Kosovës të transformojë FSK-në në Ushtri.
Në pyetjen se cilat janë sfidat më të mëdha të sigurisë për Serbinë, ai u pëgjigj:
“Sigurisht se edhe në këtë moment, Kosova është sfida kryesore e sigurisë për vendin tonë. Ne po përpiqemi të luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike që serbët në Kosovë të jenë të sigurt dhe të mos dorëzohen kurrë. Ekzistojnë gjithashtu flukse të migracionit, të cilat pjesërisht kalojnë nëpër Kosovë, por ne sigurisht që jemi të shqetësuar kryesisht për shkak të situatës së përgjithshme politike në Kosovë, sepse institucionet e Kosovës nuk janë në lartësinë e detyrës për të siguruar një jetë normale për serbët dhe shqiptarët”.
Në komunikimin e rregullt me përfaqësuesit e BE-së dhe forcave të tjera, ne rregullisht tregojmë se çfarë po ndodh atje dhe pse është një sfidë e shumëfishtë e sigurisë. Sigurisht, aty janë edhe sulme të mundshme terroriste dhe shqetësime për numrin e madh të të kthyerve nga fushëbetejat e huaja në Kosovë, për çka kanë folur edhe organizatat ndërkombëtare, dhe që janë një kërcënim i mundshëm për sigurinë e rajonit dhe më gjerë.
Sa i përket armatimit të Serbisë dhe formimit të Ushtrisë së Kosovës, Stefanoviq pretendon se ”Sipas Rezolutës 1244 dhe të gjitha akteve të tjera ndërkombëtare, nuk mund të ketë ushtri tjetër në Kosovë përveç KFOR-it. Dhe institucionet e Kosovës vazhdimisht po përpiqen të transformojnë të “ashtuquajturat forca të sigurisë në të ashtuquajturën ushtri”, për të cilën ata nuk kanë të drejtë, dhe ne u tregojmë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë se ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë atë. Dhe në atë mënyrë, ata vetëm mund të rrezikojnë edhe më shumë sigurinë e serbëve”. “Serbia ka treguar vazhdimisht se veprimet e ushtrisë sonë kanë për qëllim parandalimin e çdo agresioni dhe ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. Komentet që vijnë nga Kosova për agresionin tonë janë për qëllime politike dhe politikanët shqiptarë po përpiqen t’i shërojnë zhgënjimet e tyre, sepse e shohin se Serbia është më e fortë dhe se falë presidentit Vuçiq, Serbia është sot një vend i fortë me një ushtri të respektuar”, pretendon Stefanoviq./Insajderi.org.