Projekti “Lugina e Diellit” nuk mund të jetë dhe nuk është kolonizim, por rezultat i faktit se kthimi i të zhvendosurve në Kosovë nuk mund të realizohet në ato zona ku ata duan të kthehen , të tilla siç është për shembull Gjakova.
Kështu ka thënë për televizionin publik serb RTS, ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.
Ai ka deklaruar po ashtu se në pesë muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë kthyer vetëm 101 persona të zhvendosur, gjë që sipas tij, është pasqyrim më i mirë i mundshëm i situatës në terren.
“Ky është numër i vogël në krahasim me numrin e personave të zhvendosur që janë mbi 200 mijë. 101 persona janë kthyer për shkak të rrethanave në terren, për shkak të sigurisë, ekonomisë dhe shumë mundësive financiare të institucionit të drejtuar nga unë”.
Projekti më i madh i Serbisë në Kosovë që nga viti 1990, përkatësisht Lagjja e quajtur ‘Lugina e Diellit’ do të mundësojë kthimin e serbëve në veri të Kosovës.
Në lagjen e cila ndodhet në pozitën strategjike të rëndësishme ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit, është paraparë të ndërtohen 300 shtëpi që do të mundësojnë kthimin e rreth 1500 banorëve, ndërsa, është investim i përbashkët i Qeverisë së Serbisë, Argjipeshkvisë Rashkë – Prizren dhe pushteteve lokale në veri të Kosovës.
Sipas ministrit serb, “Lugina e Diellit” është projekti i parë që i jep përgjigje pozitive çështjes së të zhvendosurve, njofto Klan Kosova.
Ndërkaq,i pyetur rreth qëndrimit të zyrtarëve të Kosovës lidhur me këtë projekt, Jevtiq ka thënë se ata janë të interesuar në respektimin e ligjit si dhe që të lëshohen të gjitha lejet e nevojshme.
“Ligji do të respektohet, dhe në këtë kuptim unë nuk shoh ndonjë problem. Nëse ne flasim për ligjin, atëherë ky projekt nuk është i paligjshëm” ka theksuar ai,