Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i njohur për gjuhën e urrejtjes dhe fyerjet ndaj shqiptarëve, ka thënë se xhandarmëria e Serbisë është e gatshme për çdo detyrë që merr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë përmes një video 2-minutëshe të postuar në kanalin e saj në YouTube, ka treguar për kapacitetet që disponon. E në përshkrim të videos, është vënë edhe një citat i Vulinit, që thotë: “Pjesëtarët e xhandarmërisë janë gati të kryejnë çdo detyrë që kërkon Serbia dhe presidenti Vuçiq”.
Kjo video dhe kjo deklaratë vjen në kohën kur forcat policore të Kosovës po zbatojnë vendimin e Qeverisë në veri të vendit për të mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.
Serbët, të pakënaqur, kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Me xhandarmërinë serbe lidhen shumë krime në Kosovë ndaj popullatës civile shqiptare në luftën e fundit (1998-1999).