
Ministria e Arsimit ka hapur thirrje për rekrutimin e ekspertëve kompetentë dhe të pavarur për procesin e rishikimit të cilësisë së teksteve shkollore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci në rrjetin e saj në Facebook.
“Tekstet shkollore cilësore janë të një rëndësie të veçantë në rrugëtimin tonë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim”, ka shkruar ajo.
Detyra e Ekipeve për Rishikim, përfshinë analizë profesionale të bazuar në metodologji dhe kritere të mirëpërcaktuara për rishikim të teksteve shkollore për lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë për klasat 1 deri në 9.
Ekipet e ekspertëve për këto lëndë do të kenë në përbërje ekspertë me profil dhe përgjegjësi si në vijim:
1. Ekspert Senior: (Gjuhë Shqipe, Matematikë);
2. Ekspert Junior: (Gjuhë Shqipe, Matematikë);
3. Ekspert Junior: Pedagog/ Psikolog;
4. Ekspert Junior: Specialist për barazi gjinore.
Kandidatët e interesuar mund të dërgojnë CV-në e tyre dhe dëshmi për kërkesat specifike të pozitës, jo më larg se më 8 maj 2023, në ora 16:00, në formë elektronike, thuhet në njoftim.