Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka dhënë tender për “furnizimin me telefona për nevoja të FSK-së dhe MFSK-së”.
Vlera e parashikuar e kontratës nga MFSK-ja për këtë tender ishte 2,500 euro, derisa katër operatorë ekonomik kanë konkurruar për tenderin, raporton Insajderi.
E siç njofton Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), tenderin e ka fituar operatori që ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët, prej 2,440 eurove. Kjo kompani është “Europrinty” nga Prishtina.
Në njoftimin për dhënie të kontratës nga organi i prokurimit brenda MSFK-së, nuk është bërë e ditur se për sa telefonë bëhet fjalë, përveçse në përshkrimin e lëndës së kontratës thuhet se bëhet fjalë për “furnizim me telefona për nevoja të FSK-së dhe MFSK-së”.
Tenderi është dhënë të hënën më 17 korrik, derisa data e nënshkrimit të kontratës mes MFSK-së dhe kompanisë është 1 gushti i këtij viti. /Insajderi.com