Ministria e Kulturës dhe UNICEF me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë - Insajderi
×
Kulturë

Ministria e Kulturës dhe UNICEF me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë

Insajderi
22 May 2020 - 14:02
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Sahin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19, si dhe vlerësoi lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti, thuhet në njoftim.

Dumoshi theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës.

Ndërkaq Sahin, e njoftoi Ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që ajo si Ministre dhe MKRS do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë. MKRS dhe UNICEF bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të çasshme për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Sahin, u pajtuan që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark