×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Mbrojtjes e konfirmon raportimin e Insajderit, ushqimi po përgatitet nga kuzhinierët e  ‘huazuar’ 

    Insajderi
    01 October 2024 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pjesëtarëve të FSK-së janë duke iu shërbyer shujtat ditore të zakonshme, ndërkaq  i vetmi dallim sipas Ministrisë është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    “Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinierëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm”, thuhet në njoftim.

    Sot është paraparë që sipas kontratës ushqimi ushtarëve t’u servohet nga operatori ‘Hajdini Comerc’.

    Megjithatë, një gjë e pazakontë po ndodh në kazermën e FSK-së në Mitrovicë. Kuzhinieret e huazuar nga Meza e Studentëve në Prishtine po asistohen nga stafi aktual i kompanisë ‘Beni Dona’.

    Burime te sigurta brenda Forcave te Sigurisë se Kosovës kanë bërë të ditur për Insajderin se ushtarëve ushqimi po u gatuhet duke kombinuar stafin.

    Këto burime kane thënë për Insajderin se, ndonëse iu është thënë një ditë përpara që stafit të Beni Dona të asistojnë ushtaret në përgatitjen dhe servimin e ushqimit, sot po ndodh e kundërta. Ata po asistojnë kuzhinierët e sjellë nga Meza e Studenteve e UP-së.

    Insajderi nuk ka arritur te kuptojë ende nëse i njëjti “regjim” po praktikohet edhe në kazermat e tjera.

    Ministria që udhëhiqet nga Ejup Maqedonci, me 18.09.2024, kishte nënshkruar tenderin për ushqim në vlerën prej 2,149,000.

    Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për këtë kontratë që u dha përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark