Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se një plan për ndërtimin e rreth 300 shtëpive në të ashtuquajturën Lugina e Diellit në Zveçan e cila do të popullohej me serbë është i jashtëligjshëm.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, njofton opinionin se nuk ka qenë e informuar as konsultuar në asnjë moment për projektin e ndërtimit të lagjes për të kthyerit në Komunën e Zveçanit, përveç nga mediet”, thuhet në një njoftim të ministrisë.
“MMPH edhe njëherë sqaron se fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk mund të bëhet pa leje ndërtimore të lëshuara nga organet komunale në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale Komunale”.
Projekti më i madh i Serbisë në Kosovë që nga viti 1990, përkatësisht Lagjja e quajtur ‘Lugina e Diellit’ që do të mundësojë kthimin e serbëve në veri të Kosovës, do të fillojë së ndërtuari sot rreth orës 14:30.
Në lagjen e cila ndodhet në pozitën strategjike të rëndësishme ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit, është paraparë të ndërtohen 300 shtëpi që do të mundësojnë kthimin e rreth 1500 banorëve, ndërsa, është investim i përbashkët i Qeverisë së Serbisë, Argjipeshkvisë Rashkë – Prizren dhe pushteteve lokale në veri të Kosovës.
“MMPH mbështet kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës në vatrat e tyre, por është e vendosur që kjo të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e ministrisë.