Mbi 1.500 specializantë që janë pranuar vitin e kaluar për të kryer shkollimin specialistik në Kosovë, po përballen me vështirësi, gjatë këtij procesi. Mbi 600 prejt tyre që janë me vetëfinancim kanë reaguar për diskriminim, pasi nuk po marrin shtesa për COVID-19 si kolegët e tyre. Në mesin e tyre janë edhe 40 specializantë nga Lugina e Preshevës që nuk u janë nënshkruar dokumentet për subvencionimin e shkollimit, ani pse në shkurt të këtij viti Ministria e Shëndetësisë kishte marrë vendimin për t`u ndihmuar. Ata kanë paralajmëruar protesta nëse ministri Arben Vitia nuk ua plotëson kërkesat.
Ministria e Shëndetësisë, është duke i diskriminuar 40 mjekë specializantë nga Lugina e Preshevës. Ata nuk kanë marrë asnjë cëntë ndihmë nga Qeveria e Kosovës, për shkollimin specialistik ani pse u ishte premtuar një gjë e tillë, shkruan Gazeta Insajderi.
Në shkurt të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë kishte marrë vendimin për lirimin nga pagesa prej 500 eurove për vitin e shkollimit specialistik si dhe subvencionimin e atyre me vetëfinancim.
Sipas këtij vendimi, specializantët me vetëfinancim do të paguheshin përmes subvencioneve gjatë shkollimit, me qëllim që ta përballojnë më lehtë procesin e specializimit, deri në përfundim të programit
Ky vendim, sipas ish-ministri Armend Zemaj, ishte bërë me kërkesë të Institucioneve shëndetësore private dhe publiko-private dhe nga vetë specializantët të cilët kishin nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga muaji mars, gjatë dy fazave nga subvnecnionimi kanë përfituar mbi 600 specializantë të cilëve u janë nënshkruar dokumentacionet.
Por Insajderi, ka marrë vesh se nga kjo ndihmë qeveriatare janë diskriminuar specializantët nga Lugina e Preshevës. 40 mjekëve spacializantë nga Lugina, nuk u janë nënshkruar dokumentacionet e subvencionimit, ani pse edhe atyre u ishin premtuar pagesat në formë subvencioni për shkollim.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi. Ai përmes një letre dërguar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar që edhe këta specializantë të bëhen pjesë e ndihmës nga qeveria.
“Duke parë nevojën e madhe për specialist në komunën e Bujanovcit, por edhe në tërë Luginën e Preshevës dhe kostot e mësha të spacializantëve, kërkojmë nga Ju si Ministër i Shëndetësisë të aprovoni kërkesën e specializantëve tonë që nga menyra e vetëfinancimit të kalojnë në subvencione”, thuhet në kërkesën e Nagip Arifit.
Arifi këtë kërkesë ia ka dërguar Vitisë me 18 maj, shkruan Insajderi.
Për këtë kanë reaguar edhe vetë specializantët, të cilët kanë thënë se po privohen nga e drejta e tyre.
“Specializantët të cilët janë nga Presheva nuk kanë nënshkru kontratat për subvencione e shumë raste tjera individuale të cilat përjashtohen nga subvencionet dhe ka shumë dallime dhe diskriminime tjera të cilat i përjetojmë”, thuhet në reagimin e spacialiantëve.
Ata kanë paralajmëruar protesta nëse ministri Arben Vitia nuk u përgjigjet deri në fillim të javës së ardhshme.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Labinot Shahini, kryetar i bordit të specializantëve. Ai ka deklaruar se ka kërkuar nga ministri Arben Vitia, që sa më shpejt të ndihmohen edhe specializnatet e Luginës.
“Sa i përket çështjes se specializanteve nga Lugina e Presheves, në vendimin e parë nuk kanë qenë të përfshirë dhe ne si bord kemi kërkuar nga ministri Vitia që të perfshihen edhe keta. Çështja është duke u shqyrtuar dhe besoj që shumë shpejt do të mirret vendimi edhe për ta”, tha Shihini për Insajderin.
Por, Ministria e Shëndetësisë, përveç që nuk u është përgjigjur specializantëve nuk u është përgjigjur as pyetjeve të gazetës lidhur me këtë cështje, ndonëse gazeta ka pritur për përgjigje. Nuk ka treguar se çfarë përgjigje do t`u jap kërkesës së specializantëve të Luginës.
600 specializantë kërkojnë paga të rregullta, kërcënojnë me protesta
40 specializantët e Luginës së Preshevës nuk janë të vetmit që po hasin veshtirësi në kryerjen e shkollimit specialistik. Edhe specializantët tjerë me vetëfinancim po ankohen se nuk po trajtohen nga ministria barabartë me kolegët e tyre, sa i përket marrjes së ndihmës nga shteti ani pse bëjnë të njëjtën punë dhe janë të ekspozuar njësoj ndaj rreziqeve të infektimit me covid.
Ata kanë reaguar duke kërkuar paga t rregullta në të kundërtën do të dalin në protesta.
“Si specializant të cilët jemi me vetëfinancim, kemi kërkuar që të jemi të barabart me kolegët e tjerë, sepse kontributi, puna dhe mundi jonë nuk dallon nga kolegët e tjerë të cilët janë me paga të rregullta”.
“E metë e subvencioneve është që ne nuk marrim shtesa covid të cilat i marrin kolegët tonë të cilët janë në paga të rregullta dhe shtesa të cilët i marrin të gjithë puntorët tjerë shëndetësor, gratë të cilat janë shtatëzëna dhe nuk prezantojnë në specializim nuk marrin pagesë (subvencione) sikur shtatëzënat tjera të cilat janë me pagesa të rregullta, kujdestaritë nuk paguhen sepse specializantët me subvencione nuk kanë M code dhe privohen nga kjo e drejtë, përkundër faktit që mbajnë kujdestari”, thuhet në reagimin e grupit të specializantëve me vetëfinancim.
Ky grup i specializantëve me vetëfinancim kanë kërkuar që edhe specializantët të cilët janë nga Presheva, t`u nënshkruhen kontratat për subvencione pasi padrejtëisht kanë mbetur të përjashtuar.
“Prandaj zgjidhja e vetme është që në rishqyrtim të buxhetit në muajin qershor kur do të bëhet, përmes amandamentit në Kuvendin e Kosovës të kalojmë në paga të rregullta edhe pse thuajse të njejta fonde janë edhe me subvencione, vetëm se këtu zgjidhet statusi jonë përgjithmonë dhe nuk kemi problem për pagesa”, thuhet në ragim.
Përmes këtij reagimi, specializantët kanë treguar se në Ministrinë e Shëndetësisë kanë dërguar 2 kërkesa deri tash por se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ata thonë se në shkresat dërguar me 2 prill 2021 dhe 5 maj 2021, kanë kërkuar në nga ministria t`u paguhen Covid shtesat, kujdestaritë për specializntët me subvencione dhe të kenë paga të rregullta. Gjithashtu ata kanë kërkuar edhe një takim me ministrin për të diskutuar më gjerësisht.
“Nëse neglizhenca nga Ministri vazhdon edhe me tutje, pasi që kemi shterrur te gjitha mundësit tjera, atëherë jemi të detyruar ta bojkotojmë procesin e specializimit dhe gjatë javës së ardhëshme të dalim në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë. Për të gjitha mungesat dhe pasojat e mundëshme në sistemin shëndetësor, përgjegjësia do të bjerë mbi Ministrin, sepse si pasojë e neglizhencës dhe injorimit të vazhdueshem jemi të detyruar të dalim dhe të kërkojmë të drejtat tona”, thuhet në reagimin e tyre. /Gazeta Insajderi