×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ministria e Sveçlës ia refuzon kërkesën për mbrojtje kurdit që thotë se po përndiqet nga partia e Erdoganit – Insajderi sjell detaje nga biseda në Burgun e Dyzit

    Insajderi
    17 October 2024 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ahmet Yaliçin, më 6 qershor të këtij viti është kapur në territorin e Kosovës. Ai po kërkohej nga INTERPOL-i pasi që ishte arratisur nga burgjet e Turqisë. Ai është i dënuar me 20 vite, 40 muaj e 40 ditë burgim nga gjykatat turke për vrasje dhe arratisje. Yaliçin është prezantuar para autoriteteve të Kosovës si njeri i përndjekur politikisht i partisë së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Kësisoj, ai ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare. Yaliçin, me etni kurde, përpara zyrtarit përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me shtetësi, azil dhe migracion, është deklaruar se ka qenë pjesë e organizatës URFA, e cila ka pasur qëllime që të kthehej në parti politike. Kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare është refuzuar nga ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla. Insajderi ju sjell detaje ekskluzive nga intervistimi i kurdit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

    Gazeta Insajderi përmes burimeve përbrenda qeverisë ka arritur të sigurojë intervistën e Yaliçin që e ka dhënë kurdi përpara zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shqyrtimin e aplikacionit për mbrojtje ndërkombëtare.

    Në intervistimin e realizuar në ambientet e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz më 22 gusht të këtij viti, kurdi prezantohet si pjesëtar i organizatës URFA, të cilën e prezanton si organizatë bamirëse për fuqizimin e një partie kurde.

    Ai pretendon se nga kaluara e tij në burgun gjysmë të hapur në Ankara të Turqisë, është maltretuar nga gardianët pas ndikimit të partisë AK Parti, ku udhëheqës i saj është presidenti aktual turk, Rexhep Taip Erdogan. Ata i prezanton si “persona në hasmëri”. Yaliçin, me përkatësi etnike kurde, thotë se gardianët e rrahnin dhe e fyenin.

    Personat të cilët kanë qenë në hasmëri kanë qenë të partisë Akparti (partia e presidentit actual, Erdogan). Pra janë persona të fuqishëm të partisë, që ua kanë dërguar gardianëve lajmet për personat me të cilët isha unë I burgosur. Ata na shanin, fyenin dhe poshtëronin. P.sh. na përdornin t’I sjellim shalqinjët dhe në fund kur na mbyllnin na sulmonin fizikisht”, thotë ai në bisedën të cilën Insajderi e ka siguruar nga burimet qeveritare.

    Na rrihnin në shputat e këmbëve. Kemi pasur raste kur jemi rebeluar dhe na kanë vendosur në rrethin e të dënuarve të tjerë të etnisë turke me të cilët ishim në zënka. Unë jam i pajtimit që pjesën tjetër të dënimit ta mbajë në Kosovë”.

    Yaliçin tutje në intervistë ka bërë të ditur se organizata bamirëse kishte qëllime që të kthehej në parti politike në mbështetje të të drejtave të kurdëve. Ai ka pretenduar se shteti i Turqisë ka bastisur zyrat e organizatës. Sipas tij, disa pjesëtarë të kësaj organizate janë akuzuar për terrorizëm nga shteti turk.

    Sidoqoftë, më 16 shtator të këtij viti Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Integrim ka vendosur të refuzojë aplikacionin për mbrojtje ndërkombëtare të kurdit. Në arsyetimet e këtij departamenti, të cilat i ka parë Insajderi, thuhet se Yaliçin nuk ka arritur të vërtetojë se ka elemente që dëshmojnë përndjekjen politike ndaj tij.

    Pos tjerash, në arsyetimin e vendimit të MPB’së thuhet se ai nuk ka arritur të dëshmojë se ka qenë pjesë e organizatës “URFA”. Departamenti përgjegjës në kuadër të MPB’së po ashtu konsideron se nuk i beson në bazë të deklaratave që Yaliçin ka dhënë.

    Historiku i kurdit që u kap në Kosovë

    Në 6 qershor të këtij viti është kapur përbrenda territorit të Republikës së Kosovës nga njësiti FAST, pasi që Turqia ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar ndaj kurdit Yalçin që nga 2019-a.

    Yalçin është i dënuar për veprat penale “vrasje me paramendim”, “sjellja e sendeve të ndaluara në burg ose qendër paraburgimi” dhe “arratisja” sipas Kodit Penal të Turqisë.

    Ndaj tij në të kaluarën janë marrë tetë vendime që ia rrumbullakësojnë vuajtjen e burgimit në kohëzgjatje prej 20 viteve, 40 muajsh dhe 40 ditësh.

    Yalçin fillimisht është i dënuar më 2017-ën nga Gjykata për Krime të Rënda Penale në Ankara për vrasje me paramendim për 15 vite në Ankara nën akuzat se më 27 nëntor të 2012-ës kishte vrarë Serkan Kocabay (i cili ia kishte vrarë babain më herët). Pra, vrasja ka ndodhur në formë hakmarrjeje.

    Më pas, në 2022-ësn Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras e kishte dënuar Yalçin me dy vite e gjashtë muaj burgim nën akuzat se gjatë kohës sa po qëndronte në burg, kishte poseduar substancë narkotike. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, atë ia kishe sjellë babai i tij, Hakki Yalçin.

    Në të njëjtin vit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras pas arratisjes e dënoi me tetë muaj.

    Gazeta Insajderi publikoi ekskluzivisht një email që dëshmon përfshirjen e autoriteteve turke në rastin e Yalçin. Më saktësisht, një këshilltar në ministrinë e Punëve të Evropës në Turqi i drejtohet Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë për ekstradimin e kurdit në tokën turke.

    “Kam nderin të bashkëngjis komunikimin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë, që transmeton kërkesën për ekstradimin e Ahmet Yalçin, të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda Ankara Batı 1, për akuzën e “vrasjes”, së bashku me dokumentet përkatëse dhe përkthimet e tyre në shqip në mbështetje të kërkesës në fjalë”, thuhet ndër të tjera në emailin e ambasadës turke drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Më saktësisht në drejtim të Gazmend Çitakut, drejtor në Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

    Pos tjerash, ambasada turke në email kërkonte nga autoritetet kosovare bashkëpunim në arrestimin e një personi të quajtur Mustafa Aksoy dhe ekstradimin e tij në Turqi, pa u specifikuar vepra penale e tij. Aty vetëm përmendet “Marrëveshja mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës për Ekstradim”.

    Insajderi publikoi një tjetër dokument që dëshmon se Çitaku më pas iu është drejtuar prokurorit të çështjes së Yalçin, Arben Hotit, për ta trajtuar si “kërkesë urgjente” çështjen e ekstradimit të tij.

    I nderuar z. Hoti, ju lutem gjeni të bashkangjitur një shkresë nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë, datë 11 korrik 2024, e cila transmeton kërkesën nga Prokuroria e Republikës Perëndimore në Ankara, që kërkon ekstradimin e z. Ahmet Yalçin. Andaj lidhur me këtë, ju lusim që të ndërmerrni veprimet përkatëse në pajtim më ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës”, thuhej në komunikimin e tij në drejtim të prokurorit Hoti.

    Si ra në radar të Prokurorisë kurdi Ahmet Yalçin?

    Gazeta Insajderi merr vesh që pas arratisjes nga burgu, Ahmet Yalçin për një kohë kishte jetuar në vendet e regjionit, por vendosi që të lëvizte për të jetuar në Kosovë.

    Në Kosovë ai qëndroi një kohë në një hotel, por duke u informuar për të kaluarën, ku edhe dilerË droge në kërkim nga INTERPOL kishin arritur që të merrnin identitet të rremë në Kosovë, ai kishte rënë në kontakt me persona që dyshohet se i premtuan që do të ia bënin këtë të mundur.

    Krejt identifikimi i tij, se ai gjendej në Kosovë derisa në Turqi ka një dënim, erdhi kur ai nisi procedurat për të marrë identitet në Kosovë.

    Me futjen e të dhënave të para në sistem, siç merr vesh Insajderi, ishte alarmuar që ndaj tij rëndojnë vendime gjyqi e një fletë-arrest pas arratisjes nga Turqia.

    Më pas Policia kishte identifikuar vendndodhjen e tij dhe ai u arrestua. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark