Ministrit austriak të Financave, Magnus Brunner, i është hequr patent shoferi për një muaj pasi u kap me shpejtësi në timonin e makinës së tij ministrore, njoftoi ministria që e drejton ai.
Brunner, 51 vjeç, po ngiste BMË-në me më shumë se 50 km në orë mbi kufirin e shpejtësisë prej 80 km/h pranë qytetit perëndimor të Dornbirn në provincën e tij të lindjes të Vorarlberg kur policia e ndaloi të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Financave, duke konfirmuar një raport nga gazeta lokale Vorarlberger Nachrichten.
“Gjatë rrugës për në një takim privat, Ministri i Financave Magnus Brunner nuk vuri re një kufizim të përkohshëm të shpejtësisë”, tha ministria në një deklaratë, duke refuzuar të thotë saktësisht se me çfarë shpejtësie po lëvizte.
“Ministri i Financave shpreh keqardhje për këtë incident dhe kërkon falje për të”, theksohet më tutje në deklaratë, raporton Reuters.
Edhe pse ministrat austriakë kanë shoferë për t’i çuar në takimet zyrtare, ata lejohen të drejtojnë vetë makinat e tyre ministrore për përdorim privat, tha ministria. E shtuna ishte festë publike në Austri.
Pezullimi i licencës për një muaj është dënimi për tejkalimin e kufirit të shpejtësisë me më shumë se 50 km/h në Austri, me përjashtim të qyteteve, ku zbatohet për shkeljet mbi 40 km/orë.
Nuk ishte fatkeqësia e parë e Brunner lidhur me trafikun. Një vit më parë ai përfundoi në spital me një dëmtim në kokë pas një aksidenti në një skuter elektrik në Vjenë.