
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie B.K., për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ata akuzohen se, në periudhën gusht 2021 – mars 2022, kanë tejkaluar kompetencat ligjore duke financuar dy OJQ jashtë procedurave të rregullta, pa thirrje publike, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej mbi 1 milion euro.
Por ky nuk është rasti i vetëm me të cilin përballet ministri Damka. Prokuroria Themelore në Prizren pak javë më parë ka ngritur një aktakuzë tjetër ndaj tij dhe një personi tjetër, për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Sipas aktakuzës, më 9 shkurt 2025, në një park të Prizrenit, pas një mosmarrëveshjeje për publikime në rrjete sociale që lidhen me partinë KDTP dhe drejtuesin e saj, Damka dyshohet se ka sulmuar dhe kanosur dy persona. Fillimisht ai i është afruar një të dëmtuare me fjalë kërcënuese, e ka kapur nga supet dhe e ka shtyrë, ndërsa më pas ka sulmuar një tjetër person duke e goditur me trup dhe me kokë, duke i shkaktuar dhimbje fizike.
Damka tashmë do të përballet me gjykatën për të dyja rastet: për keqpërdorim të buxhetit publik dhe për veprat e dhunës fizike.