Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, ka thënë të premten se mbështetësit e Hamasit duhet të dëbohen nga shteti, në rastet kur është e mundshme.
Ajo ka thënë se autoritetet duhet ta mbajnë një sy hapur për kërcënimet e mundshme që i kanosen Gjermanisë, pas sulmeve të grupit militant palestinez në Izrael, shkruan REL.
“Nëse mund t’i dëbojmë mbështetësit e Hamasit, duhet të veprojmë ashtu”, ka thënë Faeser, pas diskutimeve që ka pasur me Zyrën Federale të Policisë gjermane.
“Autoritetet tona të sigurisë e kanë rritur fokusin në skenën islamiste”, ka thënë ajo, duke e përmendur një sulm që ka ndodhur së fundi në Bruksel, si sinjal për kërcënimet.
Shqetësimet për antisemitizmin sa shkojnë e rriten në Gjermani, sidomos pas tentimeve për të kryer një sulm në një singogë të Berlinit, dhe pas përleshjeve mes protestuesve pro-palestinezë dhe policisë, në Berlin dhe qytete tjera gjermane.