Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar me letër kryetares së Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilovës, pasi në seancën e së hënës ish-kryetarit të Kuvendit e Kosovës, Jakup Krasniqit iu largua kollarja kuq e zi, pa asnjë shpjegim.
Në letrën e siguruar nga Insajderi, shihet se Haxhiu ka kërkuar sqarim nga kryetarja e Speciales, duke theksuar se ky veprim ka ngritur shqetësim në Kosovë.
Ajo e ka përmendur se si as gjyqtari nuk ka ditur t’i japë një përgjigje avokates së Krasniqit për veprimin e ndërmarrë.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara.
Ministrja ka shtuar se ky veprim ndaj Krasniqit është akt absurd si rrjedhojë i pajustifikueshëm.
“Veprimi në fjalë përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme integritetin personal dhe dinjitetin e z. Krasniqi. Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë“, thuhet në letër.
E para e drejtësisë ka kërkuar nga Trendafilova që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje dhe të sigurojnë që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen.
Letra: