Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka krijuar një narrativë konspiracioniste lidhur me publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme.
Haxhiu, në një intervistë në ‘RTV Dukagjini’ në emisionin ‘Debat Plus’ ka pretenduar se Kushtetuesja e ka publikuar vendimin që rrëzon Ligjin për Byronë në kohën kur kryeministri Kurti po qëndronte në Bruksel për dialogun, shkruan Gazeta Insajderi.
“Gjykata Kushtetuese është opozitë e Qeverisë. Nuk ka Qeveri që ka konsultu Komisionin Venecias sikurse Qeveria Kurti. Pafund diskutime me raportuesit e tyre. Ne e kemi ditë që reformat janë të ndjeshme. Për të dyja këto ne kemi marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias. Për mua, ata janë profesionistë. Unë po them që janë të ndikuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ajo.
“Në ditën kur kryeministri Kurti është në Bruksel, në orën e njëjtë është publiku vendimi. Për me zhvendosë vëmendjen. Nuk është konspiracion. Për OSHP’në thanë që Kuvendi e ka shkel kushtetutën, të nesërmen thanë që për pagën minimale ka qenë në rregull. Në kohën kur kishte fokus për media se çfarë po ndodh në Bruksel del njoftimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar tutje shefja e dikasterit të Drejtësisë.
Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë para gjashtë ditësh, për shkak të katër neneve anti-kushtetuese. /Insajderi.org/